DYLON

Drejtori i Departamentit për Siguri Euro-Atlantike nga Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes

Drejtori i Departamentit për Siguri Euro-Atlantike nga Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes
Avatar photo Redaksia

Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama priten sot, në takime të ndara, drejtorin e Departamentit për Siguri Euro-Atlantike nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, Nick Gurr të shoqëruar edhe nga ambasadori fuqiplotë britanik, Rruari O’Conell, atasheu i Mbrojtjes, nënkoloneli Andy Layton dhe këshilltari britanik i Komandantit të FSK-së, nënkoloneli Jake White.

Në të dy takimet u bisedua për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e deritanishëm si dhe perspektiven e këtyre marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, respektivisht ministrive të Mbrojtjes të dy vendeve tona.

Ministri Berisha theksoi mbështetjen e vazhdueshme në fushën e mbrojtjes të Britanisë së Madhe si partner strategjik i rëndësisë së veçantë për Republikën e Kosovës. Ministri Berisha e falënderoi z. Gurr edhe për përkrahjen politike të Britanisë së Madhe në procesin para dhe gjatë transformimit të FSK-së në forcë me mision ushtarak, duke iu referuar në veçanti deklaratës së qartë të Ambasadores së Britanisë së Madhe në Këshillin e Sigurimit: “Kosova, si shtet i pavarur, ka të drejtë t’i ndërtojë forcat e veta të armatosura”.

EkoHigjiena

Ministri Berisha më pas e njoftoi z. Gurr me ecurinë e zbatimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së dhe rezultatet konkrete gjatë fazës së parë 120 ditëshe, pas hyrjes në fuqi të ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në. Plani Gjithëpërfshirës i Tranzicionit të FSK-së është përgatitur në bashkëpunim me partnerët dhe zbatohet në mënyrë transparente. Zbatimi i këtij plani është gradual, gjatë 10 vjetëve të ardhshme dhe ndahet në 3 faza.

Duke u bazuar në marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe dhe rolin e Britanisë së Madhe në storjen e përbashkët të suksesit, Ministri kërkoi që përkrahja britanike të intensifikohet edhe më tej duke reflektuar nevojat e FSK-së me mision të ri.

Në adresimin e tij, z. Gurr uroi fillimisht popullin e Kosovës për 20 vjetorin e hyrjes së trupave të KFOR-it. Ai e siguroi Ministrin që edhe pas BREXIT-it, rajoni i Ballkanit dhe Kosova në veçanti do ta ketë vëmendjen e Britanisë së Madhe. Madje, siç theksoi z. Gurr, Britania e Madhe do të jetë edhe më e angazhuar duke qenë zë i fuqishëm i Kosovës në qëllimin e saj për anëtarësim në NATO, do ta thellojë bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes dhe do ta vazhdojë përkrahjen në tranzicionin e FSK-së.

Në takim Ministri Berisha shprehu gatishmërinë e FSK-së për të marrë pjesë në misione paqeruajtëse në botë. Sipas Ministrit, kjo do të mund të realizohej edhe në kuadër të trupave britanike.

Z. Gurr e falënderoi Ministrin Berisha për gatishmërinë për të marrë pjesë në operacione paqeruajtëse dhe njëherësh e siguroj Ministrin, që kjo mundësi do të shqyrtohet me seriozitet.

Ministri Berisha dhe z. Gurr në fund u pajtuan që të gjitha detajet e bashkëpunimit të planifikuar për të ardhmen të dakordohen midis ekspertëve të caktuar nga të dy palët.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.