Drejtorët e shkollave po i japin rëndësi terciares duke harruar primaren!
Shkruan: Murat Mustafa
Një nga problemet serioze të arsimit tonë është mënyra se si po udhëhiqen institucionet shkollore.
Në shumë raste, duket se drejtorët më shumë merren me çështje terciare, me formalitete, raporte, dokumente dhe dukjen e jashtme, sesa me çështjet primare të shkollës. Pra me cilësinë e mësimdhënies, rezultatet e nxënësve, edukimin, disiplinën, zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe krijimin e një mjedisi të shëndoshë shkollor.
Një shkollë nuk është thjesht një institucion që duhet të funksionojë administrativisht, por është një institucion edukimi, arsimimi dhe formimi të brezave të ardhshëm.
Për ta udhëhequr një shkollë nuk mjafton të emërohesh Drejtor. Duhet të kesh përvojë në arsim, njohuri profesionale, aftësi organizative, integritet, guxim për të marrë vendime dhe vizion për zhvillimin e institucionit. Kur mungojnë përvoja dhe dija, udhëheqja shndërrohet në administrim formal, ku zbatohet urdhri, plotësohet dokumenti dhe dërgohet raporti, por nuk trajtohen problemet thelbësore të shkollës.
Por lind një pyetje. Pse mësimdhënësit me përvojë, dije dhe përgatitje profesionale nuk po kandidojnë për pozitat e drejtorëve?
A nuk duhet të jenë pikërisht këta njerëz ata që e marrin përgjegjësinë për udhëheqjen e shkollave? Apo kemi krijuar një sistem ku përgjegjësia është e madhe, kompetencat të kufizuara, por edhe paga e barabartë me mësimdhënësit, ndërsa hapësira për vendimmarrje profesionale është gjithnjë e më e vogël?
Një pjesë e mësimdhënësve mund të mos kandidojnë sepse nuk e shohin pozitën si mundësi për zhvillim profesional, nuk duan të hyjnë në përplasje politike e institucionale, nuk kanë besim në mënyrën e përzgjedhjes ose nuk e shohin të arsyeshme të marrin më shumë përgjegjësi pa pasur autoritetin e nevojshëm për t’i realizuar ato.
Këtu hyn edhe motivimi material. Nuk është e arsyeshme që një pozitë me përgjegjësi të shtuara, me ngarkesë administrative, me përgjegjësi ligjore dhe me detyrimin për të udhëhequr një institucion të tërë të mos ketë dallim të arsyeshëm në pagë nga pozita e mësimdhënësit.
Një dallim i drejtë në pagë nuk është privilegj, por njohje e përgjegjësisë, e ngarkesës dhe e punës menaxheriale. Natyrisht, ky dallim duhet të shoqërohet me llogaridhënie dhe rezultate konkrete.
Një tjetër problem është mungesa e kompetencave reale të drejtorit të shkollës. Nëse drejtori nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të marrë vendime, për të menaxhuar burimet, për të organizuar punën, për të ndërtuar ekipin dhe për të zbatuar një plan zhvillimor, atëherë rrezikon të mbetet vetëm një ndërmjetës administrativ, që përcjell udhëzime dhe dokumente nga një institucion te tjetri. Me një fjalë është postier, por shpëtim për t’u mos u lodhur janë punëtorët teknik.
Drejtori duhet të ketë kompetenca të qarta, por edhe përgjegjësi të qarta. Duhet të vlerësohet sipas cilësisë së udhëheqjes, përparimit të nxënësve, klimës shkollore, bashkëpunimit me prindërit dhe zhvillimit profesional të stafit, e jo vetëm sipas raporteve dhe dokumentacionit të dorëzuar.
Prandaj, është koha të rishikohet mënyra e përzgjedhjes së drejtorëve, të forcohen kriteret profesionale, të garantohet transparenca në konkurse dhe të krijohen kushte që mësimdhënësit e dëshmuar të kenë motivim dhe mundësi reale për të kandiduar.
Arsimi nuk ka nevojë vetëm për drejtorë që e mbajnë shkollën hapur. Ka nevojë për udhëheqës që e dinë se ku duhet ta çojnë shkollën.
Sepse, në fund të fundit, suksesi i një shkolle nuk matet me numrin e dokumenteve të plotësuara, por me cilësinë e mësimdhënies, edukimin e nxënësve dhe rezultatet që ajo arrin.
Drejtori nuk duhet të jetë thjesht postier i vendimeve të të tjerëve, por udhëheqës profesional, organizator, motivues dhe përgjegjës për zhvillimin e institucionit.
Kur pozita e drejtorit nuk tërheq profesionistët më të mirë, duhet të pyesim veten nëse problemi qëndron te njerëzit, te sistemi apo te mënyra se si e kemi ndërtuar vetë këtë pozitë. /2LONLINE/
