Drejtorët diskutuan për Draft Buxhetin 2016
/2L ONLINE/ – Këshilli i Drejtorëve në Komunën e Vitisë ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt në të cilën është diskutuar për Draft buxhetin komunal për vitin 2016, si dhe janë njoftuar drejtorët për realizimin e objektivave që dalin nga Plani i veprimit për MSA-në për gjashtëmujorin e parë të vitit 2015.
Kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka kërkuar nga drejtorët një angazhim sa i përket draft buxhetit, ndërkohë ka përmendur edhe sfidat me të cilat përballet komuna sa I përket borxheve të mbetura nga 2011-ta nga qeveria e kaluar e cila po shkakton problem në implementimin e projekteve, sidomos në aspektin e projekteve që kanë të bëjnë me ujin e pijshëm.
Ndërkaq ka kërkuar që të shqyrtohen mundësit për mbështetje të Rrjetit të grave në plotësimin e kushteve për punë dhe mundësin e dhënies së një zyre, kurse nga drejtoria e Bujqësisë që të mbështes këtë rrjet me projekte të mundshme.
Në këtë mbledhje të Këshillit të drejtorëve i prezantoi edhe kryesuesi I Kuvendit Naim Piraj, i cili i njoftoi drejtorët me procesin e organizimit të seancave të radhës, ku siç tha ai Kuvendi Komunal për këtë vit do të mbaj 12 seanca, kështu që kërkoi nga drejtorët që të përgatisin pikat për shqyrtim në KPF.
Lidhur me Draft Buxhetin e komunës për vitin 2016, zv.kryetari i komunës Hasan Aliu ka njoftuar për dëgjimet publike që janë mbajtur javëve të fundit, ndërsa drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik prezantoi Draft Buxhetin, ku drejtorët më pas dhanë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.
Ndërsa sa i përket planit të veprimit për MSA-në, një informatë për aktivitetin gjashtë mujor të Zyrës Komunale për Integrim e ka paraqitur Përparim Sadiku, i cili mes tjerash ka përmendur edhe rekomandimet e kërkuara që kërkojnë të zbatohen.
Në lidhje me rekomandimet, kryetari I komunës Sokol Haliti ka kërkuar nga Zyra komunale për integrim që të rikthej 3 nga 6 rekomandimet e kërkuara për plotësim, pasi siç u shpreh kryetari Haliti ato veç janë përmbushur nga Institucionet komunale. /2L ONLINE/
