DYLON

Drejtoresha Kadriu: Ofrova mbështetjen time të plotë për çdo iniciativë dhe kërkesë të arsyeshme të Qendrës për Punë Sociale

Drejtoresha Kadriu: Ofrova mbështetjen time të plotë për çdo iniciativë dhe kërkesë të arsyeshme të Qendrës për Punë Sociale
Avatar photo Redaksia

Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në Gjilan, Mimoza Kadriu ka bërë me dije se ka realizuar një vizitë pune në Qendrën për Punë Sociale, ku u pritë nga drejtori, Mursel Zymberi dhe stafi i përkushtuar i këtij institucioni tejet të rëndësishëm për komunitetin.

“Në kuadër të bashkëpunimit institucional, si një hallkë kyçe e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, shpreha mirënjohjen dhe vlerësimin tim për angazhimin e vazhdueshëm ndër vite, si dhe për përballimin e sfidave të shumta në ofrimin e shërbimeve sociale për qytetarët tanë”, ka thënë drejtoresha Kadriu.

EkoHigjiena

Sipas saj, gjatë takimit u theksua se Qendra për Punë Sociale është një institucion më shumë human sesa administrativ, sepse aty trajtohen histori jete, dhimbje, sfida sociale dhe nevoja reale të kategorive më të ndjeshme të shoqërisë. Çdo rast që trajtohet kërkon jo vetëm profesionalizëm, por edhe ndjeshmëri, etikë dhe përkushtim njerëzor.

“Nga ana ime, kërkova që puna jonë të udhëhiqet mbi tri shtylla themelore: profesionalizëm, përmes respektimit të standardeve dhe rritjes së vazhdueshme të kapaciteteve profesionale; transparencë dhe llogaridhënie, për të garantuar besimin e qytetarëve në institucionet tona; dhe bashkëpunim, si brenda institucionit ashtu edhe me strukturat tjera relevante, në mënyrë që shërbimet të jenë sa më gjithëpërfshirëse dhe efektive”, thotë tutje drejtoresha Mimoza Kadriu.

Ajo shtoi se si drejtoreshë, ofroi mbështetjen e saj të plotë për çdo iniciativë dhe kërkesë të arsyeshme që ndikon në përmirësimin e kushteve të punës dhe cilësisë së shërbimeve.

“U zotova që sfidat infrastrukturore dhe teknike të adresohen me prioritet, në mënyrë që ato të mos mbeten pengesë për realizimin e misionit tonë të përbashkët”, ka thënë Mimoza Kadriu, drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në Gjilan.  /2LONLINE/