DYLON

Drejtoresha Eljesa Rashiti vlerëson kuvendarët që miratuan shtatë propozimet e Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë

Drejtoresha Eljesa Rashiti vlerëson kuvendarët që miratuan shtatë propozimet e Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë
Avatar photo Redaksia

Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e VIII të mbajtur të enjten, ka miratuar shtatë propozime të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë. Drejtoresha e kësaj drejtorie, Eljesa Rashiti, ka falënderuar stafin e drejtorisë për angazhimin dhe këshilltarët komunalë për mbështetjen e propozimeve, transmeton Portali 2LONLINE.

Sipas saj, në kuadër të kësaj seance, janë miratuar dy propozim-vendime për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronave komunale të destinuara për ndërtim. Në këmbim, Komuna përfiton 30 për qind të hapësirës së ndërtimit që i takon pjesës së saj të pronës, duke siguruar përfitime konkrete nga shfrytëzimi i pronës komunale.

EkoHigjiena

Gjithashtu, është miratuar propozim-vendimi për sigurimin e 5,575 m² tokë në Lladovë për zgjerimin e varrezave të fshatit, duke adresuar një nevojë të kahmotshme të komunitetit.

Për mbrojtjen e natyrës, ripyllëzimin dhe rekreacionin, Kuvendi ka miratuar tri propozim-vendime për shpalljen e interesit të ligjshëm publik, me qëllim sigurimin e tokës në Zhegër, me sipërfaqe prej 7,032 m², në Lladovë, me 2,142 m², dhe në Stançiq, me 1,162 m².

Pjesë e vendimeve të miratuara është edhe ndarja e dy hektarëve pronë komunale në Zhegër për ndërtimin e Muzeut dhe Kullës “Agim Ramadani”, në funksion të ruajtjes së kujtesës historike dhe nderimit të veprës së heroit.

“Këto vendime synojnë përdorimin e pronës në funksion të zhvillimit të komunës, mbrojtjes së mjedisit dhe përmbushjes së nevojave të qytetarëve”, ka thënë Eljesa Rashiti, drejtoresha e Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Gjilanit.  /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.