DYLON

Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar

Avatar photo Redaksia

Ismajl KURTESHI

Faktet nuk pushojnë së ekzistuari, edhe pse injorohen.
Aldus Hakslej

EkoHigjiena

(2LONLINE) – Për fenomenin e blerjes së votave gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013 dyshojnë vetëm ata që i mbyllin sytë para fakteve. Publikisht para syve të qytetarëve, gazetarëve, prokurorëve e gjyqtarëve, pa lënë vend për dilema, zyrtarët komunal e qeveritarët, para e gjatë fushatës i shkelën rregullat e parapara me ligjin për zgjedhjet.

Para fillimit zyrtar të fushatës dhe gjatë fushatës për zgjedhjet  lokale, Kryeministri i vendit, bashkë me kandidatët për kryetarë nga partia e tij, ka shtruar me mijëra e mijëra dreka e darka, nga buxheti i shtetit, për punëtorët e arsimit, shëndetësisë, administratave komunale, si dhe nga shumë organizata të tjera, në të gjitha komunat që udhëhiqen nga partia e tij. Ashiqare janë shfrytëzuar automjete zyrtare, në të gjitha anët e Kosovës, nga zyrtarët qeveritar dhe komunal. Janë shpërnda pako sociale, dru, etj. Janë premtuar rritje të të ardhurave personale e investime qindra milionëshe. Por, edhe  janë realizuar shumë projekte pa i respektuar procedurat e tenderimit, standardet e parapara të punëve  etj.

Keqpërdorime të pozitave dhe të mjeteve publike kanë ndodhë edhe nga zyrtarët e komunave që janë udhëhequr nga subjektet tjera politike dhe nga kandidatët për kryetar të këtyre subjekteve edhe në komunat ku kanë qenë opozitë.

Më e pa zakonshmja e këtyre zgjedhjeve ishte lejimi, në fushatën zgjedhore, i politikanëve e strukturave të shtetit serb dhe që ndikoi, që në nëntë komuna me shumicë serbe, të zgjedhën kryetarë që janë të lidhur drejtpërdrejt me Serbinë dhe që nuk e pranojnë Shtetin e Kosovës, ashtu siç edhe deklaroi, kryetari i porsazgjedhur i Komunës së Mitrovicës së Veriut,  Pantiq.

Këto zgjedhje e kanë prodhuar edhe  problemin e mos njohjes së Shtetit të Kosovës, nga një pjesë e institucioneve të legalizuara të vendit. Në secilin vend të botës, përveç Kosovës, nuk mundet të merret me mend që dikush të udhëheq institucionet, të cilat nuk i njeh.

Sa janë të papërgjegjshëm institucionet e shtetit dëshmon edhe alarmi i kandidatit të LDK-së, për kryetar të Komunës së Artanës, se ai po garon me strukturat e shtetit serb (MUP-it), e që megjithatë  nuk nxiti reagim të Shtetit të Kosovës.

Fakti që 170 kandidatë për këshilltarë komunal, në këto zgjedhje, nuk kanë pas asnjë votë, ose rasti i vendvotimit nr. 422 në Cërrnicë, ku kanë votuar gjithsej 109 votues, kurse kandidatët e PDK-së i kanë pas 155 vota, ndërsa ata të LDK-së 101 vota, apo edhe nga rasti i vendvotimit në Bukovik,  ku LDK-ë i ka pas gjithsej 55 vota, kurse vetëm një kandidati të këtij subjekti i janë shënuar 86 vota në këtë vendvotim, janë dëshmi për ekzistimin e parregullsive serioze në këto zgjedhje, të vlerësuara si zgjedhje shumë të mira.  

Këto dhe fakte të tjera që kanë ndikuar në pengimin e shprehjes së vullnetit të lirë, përmes votës së lirë, të qytetarëve dhe presioni mbi një pjesë të votuesve, është dashur të pengohet nga politika, prokuroritë, policia dhe gjykatat për mbrojtjen e ligjshmërisë, për ta garantuar pacenueshmërinë e Kushtetutës dhe vullnetin e votuesit, si dhe rezultatin e vërtet të zgjedhjeve.

Shkeljet janë bërë ashiqare, ato nuk u penguan për shkak të mungesës së vullnetit të kompetentëve dhe mungesës së përkrahjes politike të shumicës së krerëve politik të vendit. Se a do të ndërmerret diçka postfestum nuk dihet, por dihet se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.

Pas zgjedhjeve të vitit 2010 që u karakterizuan me vjedhje industriale të votave, u ndërmorën disa hapa gjysmak të sanksionimit të përgjegjësve, por në esencë asgjë nuk ndryshoi. Kosova u udhëhoq nga ata që dolën nga votat e vjedhura, të cilët në zgjedhjet e fundit  i blen votat. U udhëhoq nga ata që me marrëveshjet me Serbinë  e dëmtuan rënd  funksionalitetin dhe të ardhmen e vendit. Prandaj dënimi eventual i ndonjë komisionari, me siguri nuk do të ndikoj, në mënyrën e udhëheqjes së komunave tona.

Në këtë mandat,  komunat me shumicë serbe do të udhëhiqen nga ata që nuk e pranojnë Kosovën si Shtet, dhe nga një pjesë e atyre që i blen votat,  ata që i manipuluan qytetarët, ata që dhanë  premtime të rrejshme, madje edhe ata që u zotuan  se do ta shkelin ligjin, sapo të bëhen kryetar. Këto abuzime do të ndalen ose së paku të reduktohen, kur shkeljet paraprakisht pengohen, atëherë kur secili shkelës, me kohë, e merr dënimin e merituar, por ne jemi ende larg nga ky moment sepse mungon vullneti politik brenda vendit dhe  presioni i duhur ndërkombëtar.

Kjo praktik do të ndërpritet, kur ndërkombëtarët nuk do t’i përkrahin  udhëheqësit e dëshmuar si keqpërdorues të besimit të qytetarëve dhe të shantazhuar, e mbi të gjitha atëherë kur qytetarët ta kuptojnë rëndësinë e votës së tyre dhe të mos e lejojnë askënd të manipulojë me vullnetin e tyre të shprehur përmes votës vërtet të lirë. Megjithatë ky moment po vjen. Ndryshimet e mirëfillta filluan në Prishtinë, kjo frymë shpejt do të zgjerohet në tërë vendin. /2lonline/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.