Femi HALIMI
tregim
Mbreti Salomon, biri i Davidit, u vesh si grua njëherë dhe dual rrugëve të qytetit. Kërkonte diçka që të mësonte që askush nuk ia thoshte. Ishte një diçka shumë e keqe që po ndodhte por që fshihej nga të gjithë përreth tij. Që nuk vinte kush sëpaku ta ngushëllonte për çka mbreti ishte i prekur shumë.
Jerusalemi ishte bërë i pari i botës. Kurrë kush mëparë nuk kishte pasur e mundur nga gjithë të fuqishmit e botës sa Salomoni, që kishte bërë për atë kohë të vet. Ari, argjendi, mallrat, ndërtimet, bagëtitë, tokat, vreshtat, ullinjtë e gjithçka tjetër derdhej pakufi në vendin e tij dhe gjithkëtë e mbronte një ushtri e madhe e pathyer, që ia kishte kaluar Egjiptit e Babilonit.
Salomoni ishte i drejtë, i ndishëm, i dhëmbshëm, i butë, i matur. Edhe për armiqt ai ishte i mirë njësoj. Ishte biri i Davidit famë mbi famë dhe i Betshebës së bukurisë së perëndishme.
Mbi të gjitha Salomoni ishte i zgjedhuri i Zotit Perëndi me rradhë. Zoti Perëndi e deshti fort Salomonin për hir të të atit Davidit dhe të maturisë së tij. Në Ofertën që ia bëri Perëndia për të mirat që do të kërkonte jo si të gjithë tjerët, Salomoni kërkoi Diturinë. E për hir të përuljes së tij Zoti ia dha Diturinë por edhe të gjitha tjerat!
Por ja që ky Salomoni i fuqisë e diturisë së pakrahasueshme nuk po dinte gjë për të keqën që po bënte kërdi në mes njerëzve në vendin e tij dhe që as nuk kishte një lajmtar si rëndom të lajmëronte për këtë. Një diçka e errët sillej rrugëve e shesheve. Një dro e frikshme poshtë e lart ngadalë bënte hije dhe njerëzia nuk po e përballonin dot.
Vinin rrëfime tek mbreti për gjithfarë ngjarjesh të frikshme në vend dhe në vetë Jerusalemin. Një hije e zezë endej rrugëve në pikë të ditës dhe kjo u bë brengë për mbretin…
Kishte edhe shumë të vrarë, deri edhe në oborrin e mbretit, që mbase ishin lajmëtarë që do të sillnin lajmin e dëshiruar nga mbreti. Shumë të besueshëm të mbretit tanimë ishin vrarë dhe mbreti mendonte për këtë.
Nuk kishte mundësi që të mos e dinte sepse ishte profet i madh i Perëndisë fundi i fundit. Kjo punë kështu ishte si dukej atje dikund para se vullneti i tij të matej në Peshore të Perëndisë dhe deriku mbreti kishte lirinë e vendosjes vetë. Nëse të gjithë heshtin, ka diçka të frikshme dhe që kujton kthimin e robërisë. Po luftëtari që bëri luftën dhe solli lirinë edhe po të përbuzet, nga qëndrimi i tij nuk hiqet kurrë!
Pasi mendoi e çmendoi gjatë, Salomoni bëri një plan.
Një ditë, u vesh si grua dhe dual rrugëve të qytetit të madh. Anash e përcillnin tridhjetë roje dhe më tutje në largësi treqind të tjerë, të gjithë besnikë të mbretit
. Ishte para muzgut kur dual dhe kur arriti në Rrugën e Lindjes. Rojet nisën të dheznin vravashkat lyer me pishë. Aroma e vajit të pishës përshkoi sheshin me dritën që ndërroi gjithçka në shesh. Kur dhezeshin dritat qyteti ndërrohej i tëri. Salomoni kishte bërë që çdo shesh e rrugë të ndriçohej me të madhe deri në fund të vigjiljes së mbramë në mëngjes dhe rojet të ruanin dritat te portat.
Posa hyri rrugës kah lindja, që në kthesën e parë, e rrethuan një grup ushtarësh.
-Kush jini ju? –iu drejtua gruaja ushtarëve.
-Jemi, të mbretit! –Gjegji i pari i tyre. –Po të dërgojmë te ai gomari i Davidit. Qenke e madhe! E mbajtshme.
-Kush është ai, gomari i Davidit? –rropati gruaja.
-Është gomari i asaj bushtrës së Davidit, Betshebës cullake!
Mandej e lidhën, e mbërthyen dhe e futën në një qerre të mbuluar me tendë. Mbreti nuk dha shenjë dhe truprojet nuk intervenuan.
-Vëllezër të mi, unë jam një grua me fëmijë shumë! –U qa e përgjëroi gruaja. –Mos më çoni te mbreti!
-Nuk të çojmë te mbreti! –Foli shefi i ushtarëve. –Thamë këtë sa për të dëgjuar njerëzit! Në të vërtetë ne të çojmë ty dikund tjetër! Jashtë qytetit, jashtë vendit!
-Por, ju thatë se po më çoni te mbreti! –theu mendjen gruaja. –Më çoni te mbreti pra! Mos më shitni ndonjë kusari! Thonë se mbreti sëpaku është njeri i mirë!
Ushtarët qeshën, po pastaj u kërcënuan.
-Për këtë që the, të shkon kryet! –Tha shefi. –Kjo edhe është e keqja e mbretit! –Mirësia e tij. -Kjo neve po na prishë punët të gjitha.
-Pse?! –ofshani gruaja. –Të gjithë janë të lumtur me mbretin, sa kam dëgjuar unë një grua, e ju qaheni!
-Qahemi, -tha shefi. -Po të mos ishte zemra e mirë e tij, unë do të isha mbret!
Kjo i mjaftoi gruas, që ishte Salomoni, të njihte më në fund të keqën që po e kërkonte kohë të gjatë! Zatën kështu të keqën kishte bërë edhe vëllai i tij Absalomi i bukur. Ai rrinte te Portat e Pallatit me hijeshi princi dhe me bukuri! I bardhë e i shëndoshë, me flokët kaçurrelë të gjata, lëshuar deri në supe thellë. Gjithsecili që vinte te mbreti David, i ati, për të kërkuar drejtësinë, Absalomi i thoshte, se ja, po të kishte qenë ai vetë në vend të të atit, do të ndante drejtësinë si duhet, por ja që i ati Davidi nuk kishte vullnet as virtyt për drejtësinë sepse ishte i padrejtë!…Përderisa Absalomi në fund pasi bëri të shumtë për vete, bëri një ushtri të fortë dhe u hodh kundër të atit, mbretit vetë!…
Kur arriti qerrja te Portat e Epërme të Lindjes ku dilej jashtë qytetit për në Jeriko, në vendin e kontrollit të rrebtë, ku rrinte gjithnjë ushtria elite e mbretit, shefi nxorri kryet dhe u tha ushtarëve matanë Portave:
-Për mbretin David, një bukuroshe!…
Ata ushtarët, pasi shikuan mbrenda tendës së qerres, ia kërcitën gazit dhe kthyen shpindët e i lejuan të dilnin jashtë Portës. Në këtë Salomoni, që ishte gruaja e grabitur, mbuluar deri te sytë me vel, u prek edhe më shumë. Ata po dilnin jashtë qytetit, e ushtarët po qeshnin të shkujdesur! Po ja se kështu u pa edhe një punë tjetër, -se ata ushtarët e ngratë nuk po dinin as se ku ishte mbreti fare, anise Lajmtari i Mbretit këtë lajm ua sillte triherë në ditë sipas detyrës. Që u kuptua se as Lajmtari nuk ishte në detyrë fare, ose edhe më keq!
Dhe krejt kjo do të përfundonte jashtë Portës së Lindjes dhe kushdi çka do të ndodhte, po të mos ishin rojet besnike të mbretit. Ata rrethuan qerren në Portë, e kthyen prapa dhe e drejtuan për në Pallat. Te Portat e Pallatit nxorrën gruan e mbuluar, që ishte vetë mbreti dhe e përcollën brenda…
Mandej mbreti Salomon bëry gjyq, Gjyq! Vrau të gjithë kusarët ushtarë të tij. Vrau të gjithë krerët ushtarakë që ishin me ta. Vrau gjithë trupën e rojës elite te Porta e Lindjës. Në fund vrau Lajmtarin, që e kishte zgjedhur vetë dhe që i kishte besuar me krejtë zemrën. Krejtë këtë e bëri në sytë e popullit, që të shihnin e mësonin dhe besonin të gjithë, që drejtësia të kthehej.
Kështu mbreti Salomon ndau drejtësinë për dyzet vjet, për çdo ditë të Zotit, në pallat, në tempull dhe në rrugë. Vetë qe hetues e gjyqtar, sepse tjetër nuk pati, as nuk u gjend kurrë më një i tillë në gjithë mbretërinë si ai, që të donte drejtësinë!