Tani kur jemi në fund të Muajit të Bekuar të Ramazanit, fondacione e shoqata të ndryshme po kërkojnë zekatin dhe sadakatul-fitrin për aktivitetet e tyre bamirëse. S’do mend se këto kërkesa mund të prekin e të dëmtojnë qëndrueshmërinë financiare të medreseve dhe të Fakultetit të Studimeve Islame në Kosovë.
Në një postim të tij në Facebook, Dr. Mustafa Bajrami sot ka dalë me një apel dhe ka kërkuar nga besimtarët myslimanë shqiptarë që zekatin dhe sadakatul-fitrin ta paguajnë vetëm për Bashkësinë Islame të Kosovës.
Ai këtë e ka arsyetuar me faktin se institucionet arsimore fetare islame në Kosovë mbahen dhe qëndrojnë vetëm për aq sa besimtarët myslimanë të vendin i ndihmojnë ato.
Në fund të postimit të tij, ai ka shprehur indinjatën e tij të thellë kundrejt këtyre fondacioneve dhe shoqatave gjithandej në Kosovë dhe në tokat shqiptare.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë në llogarinë e tij në Facebook:
APEL
(Me përgjegjësinë më të lartë morale, fetare e njerëzore!)
Apeloj të gjithë besimtarët muslimanë në Kosovë që Zekatin dhe Sadakatul-Fitrin t’i paguajnë për institucionet arsimore të Bashkësisë Islame të Kosovës. Është obligim yni fetar e njerëzor t’i ndihmojmë dhe t’i mbështesim ato. Medresetë dhe Fakulteti i Studimeve Islame mund të funksionojnë vetëm për aq sa i vlerësojmë, sa i ruajmë dhe sa do të jemi në gjendje t’i ndihmojmë ato.
Apeloj gjithashtu të gjithë besimtarët muslimanë shqiptarë kudo që jetojnë në trevat shqiptare që këtë ta bëjnë për Instiitucionet e Bashkësinë Islame të tyre atje ku jetojnë.
E di shumë mirë se Kur’ani i ka specifikuar 8 kategori shoqërore të cilave u takon Zekati dhe Sadakatul Fitri. Ama, në të njëjtën kohë, Kur’ani e ka lënë në dorën e njeriut përcaktimin e prioriteteve se kujt t’i jepen Zekati dhe Sadakatul Fitri.
Në rastin konkret, është gabim i madh që Zekati dhe Sadakatul-Fitri të paguhet tjera kah e jo për medresetë dhe Fakultetin e Studimeve Islame. Imagjinoni po të kishin mbetur medresetë tona pa Sadakatul-Fitrin dhe pa Zekatin tonë. Sigurisht se do të ishin mbyllur kahmoti. Ato, mos thashtë Zoti, nuk do të ekzistonin më.
Për fund, dua të shprehi indinjatën time më të thellë ndaj disa fondacioneve dhe shoqatave bamirëse që po thërrasin që Zekati dhe Sadakatul-Fitri tu paguhet atyre me arsyetimin se, siç po thonë, janë duke e ndihmuar popullatën dhe janë duke ndërtuar shtepi për skamnorë. Këto shoqata e fondacione le të vazhdojnë punën e tyre të hajrit që janë duke e bërë. Me ndihmën e burimeve tjera që falë Zotit nuk po u mungojnë. Ama, jo me Zekatin dhe Sadakatul-Fitrin e besimtarëve muslimanë shqiptarë. Përndryshe, punës së tyre do t’i përshtatej shumë ajo thënia e mençur e popullit që thotë: “Prish xhami e maro hajat”. Asgjë tjetër.
Me shpresën se do të dëgjoni zërin e këtij apeli, ju dëshiroj shëndet dhe punë të mbarë e të hajrit. Allahu ua bëftë kabull agjërimin dhe të gjitha ibadetet që i keni bërë përgjatë Muaji të Ramazanit…!
Amin…!