/2L ONLINE/ – Deri para tri vitesh ishte një figurë e rëndësishme në PDK-në e Gjilanit. Drejtonte nëndegë, ishte pjesë e Kryesisë së Degës së PDK-së, pastaj i Këshillit Drejtues…, por erdhi një moment kur Hajriz Ibrahimi e vlerësoi se “po i zihet fryma” pasi po iu pamundësohej për të vazhduar me dhënien e mëtutjeshëm të kontributit të tij, si kuadër intelektual dhe profesional, andaj u tërhoq “në qetësi” nga ky subjekt. Përgjatë kësaj periudhe trevjeçare “abstenoi” nga aktiviteti politik, dhe tani prishi “qetësinë” sërish duke u aktivizuar në jetën politike, por në siglën e një subjekti tjetër, atë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Arsyet e ardhjes sime në Vetëvendosje janë të shumta, duke u nisur nga programi,qëndrimet, parimet, sinqeriteti, modestia dhe koncepti i qartë politik. Besoj dhe shpresoj që tërë kapacitetin tim intelektual dhe profesional do ta vë në shërbim të kësaj Lëvizje dhe qytetarëve të komunës së Gjilanit. Do të përpiqem me tërë qenien time, që ta ndihmojë këtë parti, sepse jam shumë i bindur se ka vizion të qartë dhe të drejtë”, ka thënë Dr. Hajriz Ibrahimi.
E pikërisht në paraqitjen e tij të parë para mediave si pjesë e Vetëvendosjes, ai shpalosi vërejtjet dhe kritikat e tija në sferën e shëndetësisë, konkretisht kishte të bënte me Statutin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, duke kërkuar që pediatri në Mjekësinë Familjare të rregullohet me ligj.
“Kohë më parë në Kuvendin Komunal ka kaluar Statuti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare(QKMF), i cili nuk është në harmoni me Ligjin e Shëndetësisë, sepse me këtë formë të këtij statuti që është paraparë nga sponzoruesit e këtij statutit, ju pamundësohet që specialistëve të pediatrisë të punojnë në Mjekësinë Familjare ( Prevencën Primare ), gjë që fëmijëve do t’i bëhet e padrejtë”, ka thënë Dr Ibrahimi.
Ai shtoi se në shtetet më perëndimore dhe shumë më të zhvilluara se sa Kosova, funksionojnë në Mjekësinë e tyre Familjare të punësuar Pediatra, derisa për sigurimet shëndetësore as nuk mund të flasim, sepse vetëm ekzistojnë në mendje dhe në letër dhe jemi larg këtij sigurimi.
“Është mirë që ky statut, pavarësisht kalimit në kuvend, mund të kompletohet dhe të pasurohet dhe ta merr në konsideratë dhe ta fus në këtë statut edhe këtë vërejtje tonë , që mendojmë se është e arsyeshme, që pediatri te jetë në mjekësinë familjare dhe të rregullohet me dispozita ligjore. Ndërkaq, ne kërkojmë që në Ambulancat në Shurdhan e Vërbicë të Zhegocit infermieri-ja duhet te punojë 5 ditë në javë e doktori së paku 2 ditë në javë”, ka thënë Dr Hajriz Ibrahimi tani pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. /2L ONLINE/