U dorëzua sot në Kuvend mocioni lidhur me krimet e Serbisë në Kosovë i nënshkruar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Më poshtë e gjeni tekstin e këtij mocioni:
Për: Kryesinë Kuvendit të Republikës së Kosovës
Lënda: Mocion Përmbajtësor
Data: Qershor 2015
Në mbështetje të Nenit 65 të Kushtetutës mbi kompetencat e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në bazë të Nenit 15, paragrafit 8 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! parashtron këtë:
M O C I O N
P Ë R M B A J T Ë S O R
Për miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me krimet e kryera nga Serbia gjatë viteve 1998-1999
Arsyetimi:
1. Serbia ishte shtet përgjegjës për gjenocidin e kryer në Kosovë. Vetëm gjatë luftës së fundit në Kosovë Serbia vrau mbi 12 mijë qytetarë. Shumica e të vrarëve ishin civilë të paarmatosur. Rreth një milion shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Mbi 120 mijë shtëpi u shkatërruan. Pati edhe me mijëra dhunime seksuale dhe gjymtime me qëllim të dëmtimit dhe poshtërimit. Të gjitha këto vepra përbëjnë figurat dhe elementet e krimit që në të drejtën e brendshme dhe atë ndërkombëtare të së drejtës penale quhet GJENOCID. Veprimet ushtarake dhe policore të aparatit shtetëror të Serbisë gjatë viteve 1998-1999 janë vërtetuar si krim i gjenocidit i kryer në këtë periudhë në territorin e Republikës së Kosovës sepse përbëhen nga veprimet sistematike dhe me një zinxhir të qartë komandues nga nivelet më të larta shtetërore të Serbisë. Serbia si pjesë e Federatës së atëhershme të ish-Jugosllavisë dhe trashëguese e këtij formacioni shtetëror sipas Kartës së Unionit Serbi dhe Mal i Zi me të cilën është shpërbërë ky formacion shtetëror, me këto veprime në cilësinë e subjektivitetit sipas përgjegjësisë së shtetit si person juridik me përgjegjësi penale karshi të drejtës ndërkombëtare penale, ka kryer veprën penale të gjenocidit duke pasur parasysh se veprimet e ndërmarra përbëjnë shkakësinë e qartë në mes të veprimeve sistematike dhe pasojës së shkaktuar lidhur me krimet e kryera ndaj popullsisë civile të grupit të caktuar kombëtar, respektivisht atë shqiptar.
Në teoritë bashkëkohore për gjenocidin mbizotëron ideja se qëllimësia dhe përpjekja e planifikuar për zhdukjen e një populli janë elemente themeltare për përkufizimin e gjenocidit. Serbia kishte qëllim të qartë si dhe ndërmori veprime të organizuara shtetërore e ushtarake në funksion të shfarosjes dhe dëbimit të popullsisë shqiptare të Kosovës. Këto veprime ushtarake ishin të shtrira në një territor të caktuar, gjegjësisht territorin të cilin e njihte edhe vet Serbia në kuptimin administrativ, Kosovën, kurse këto veprime ishin të drejtuara kundër pjesëtarëve të një grupi të caktuar, shqiptarëve të Kosovës.
2. Për të gjithë ato krime të kryera shteti serb, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, nuk është përgjigjur dhe nuk është ndëshkuar. Gjykimet ndaj disa dhjetëra persona që janë dënuar nga Tribunali i Përkohshëm për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi në Hagë dhe disa dhjetëra të tjerë që janë dënuar nga gjykatat në Serbi, nuk janë të mjaftueshme për vënien e drejtësisë. Shteti i Serbisë nuk ka mbajtur përgjegjësi si subjekt i cili ka detyrim ndaj nomenklaturës juridike ndërkombëtare nga fusha e drejtës penale ndërkombëtare dhe të drejtës zakonore përkitazi me luftën. Përkundrazi, prej rreth 40 mijë trupave serbe që kanë operuar gjatë luftës në Kosovë, shumica e të cilëve kanë marrë pjesë në krime të rënda kundër njerëzimit, as një 1% e tyre nuk ka dalë para një gjyqi. Prandaj krimi i shtetit të Serbisë në Kosovë përgjithësisht ka mbetur i pandëshkuar. Përgjegjësia e Serbisë si shtet nuk mund të përkthehet vetëm në përgjegjësi individuale. Kjo përgjegjësi duhet të jetë e materializuar në përgjegjësinë e shtetit si mekanizëm i organizuar që ka pasur korniza të qarta ligjore dhe sistem të organizuar në këtë kornizë.
3. Pas hyrjes së administratës së OKB-së në Kosovë, UNMIK-u aplikoi strategjinë e shmangies së trajtimit të krimeve të shtetit të Serbisë në Kosovë me arsyetimin se hapja e këtyre dosjeve nuk i kontribuonte pajtimit ndëretnik. Në të vërtetë kushti i paqes dhe marrëdhënieve të mira mes popujve është pikërisht përmbushja e drejtësisë. Pa drejtësi nuk mund të fillojë një etapë e re e relacioneve mes popujve.
4. Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ndoqi të njëjtin plan. Vetëm një numër simbolik i dosjeve të krimeve të luftës u trajtua.
5. Në anën tjetër, në vend të drejtësisë për gjenocidin e shtetit të Serbisë në Kosovë, e vetmja çështje e cila u shty përpara në aspektin ndërkombëtar është një pretendim konstant i Serbisë për trafikim organesh nga drejtues të lartë të UÇK-së. Në janar të vitit 2011 në Asamblenë e Këshillit të Evropës u miratua një rezolutë e propozuar nga Dick Marty. Aty hidhen dyshime se ushtarët e UÇK-së janë marrë me rrëmbimin e disa qindra serbëve e romëve të cilët janë dërguar në territorin e Republikës së Shqipërisë ku u janë hequr organet, të cilat më pas janë shitur. Thuhet po ashtu se pjesëtarët e UÇK-së kanë pasur edhe qendra të ndryshme të trafikimit të grave dhe vajzave dhe zhvillimit të prostitucionit. Ky raport bazohet kryesisht në të dhënat e fabrikuara të autoriteteve serbe, të cilat nuk kanë reshtur së qarkulluari që nga qershori i vitit 1999 kur në Kosovë hynë trupat e NATO-s.
6. Prej qershorit të vitit 1999, kur Serbia e humbi kontrollin faktik, juridik dhe ushtarak mbi Kosovën, institucionet dhe qeveria serbe e zhvendosi luftën e saj në dy binarë: së pari, instrumentalizimi i strukturave të paligjshme shtetërore nëpër enklava në funksion të destabilizimit dhe ndarjes etnike të Kosovës; së dyti, diskreditimi i përpjekjes për liri të popullit të Kosovës përmes luftës speciale ashtu që pavarësia e Kosovës të paraqitet si produkt i krimeve monstruoze të UÇK-së dhe trupave ndërkombëtare. Çështja e trafikimit të organeve i përket kësaj përpjekjeje të Serbisë mbështetur nga Rusia edhe publikisht edhe institucionalisht.
7. Këto pretendime sot përbëjnë kërkesën kryesore ndërkombëtare ndaj institucioneve të Kosovës. Ky është rezultat i dështimit të qeverive të deritashme të Kosovës për ta vendisur në vëmendjen e duhur gjykimin e krimit të forcave serbe mbi popullin e Kosovës. Në institucionet e rëndësishme ndërkombëtare aktualisht kanë ngadhënjyer pretendimet e pavërteta të Serbisë agresore në vend që të zënë vend e të trajtohen dhjetëra e mijëra raste të qarta të popullit shqiptar të Kosovës që ishte viktimë e gjenocidit serb. Kjo tregon se Qeveria e Serbisë e ka prioritet dënimin e UÇK-së, kurse Qeveria e Kosovës nuk e a prioritet ndëshkimin e krimit të policisë, ushtrisë dhe formacioneve paramilitare të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës gjatë viteve 1998-99.
Për arsye të mësipërme,
Të sigurt se gjatë luftës së viteve 1998-99 shteti i Serbisë ishte përgjegjës për agresionin kundër popullsisë civile shqiptare në Kosovës e cila ishte caku dhe viktima;
Plotësisht të vetëdijshëm që shteti i Serbisë duhet të mbahet përgjegjës për gjenocidin dhe krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit të kryera ndaj popullit shqiptar të Kosovës gjatë viteve 1998-99;
Krime të cilat janë sanksionuar me akte ndërkombëtare si Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit e miratuar më 9 dhjetor 1948 nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara, Konventat e Gjenevës mbi të drejtën humanitare dhe zakonet e luftës, duke përfshirë katër konventat dhe tri protokolle për plotësimin e konventave, Aktin Final Diplomatik të Konferencës së Gjenevës të vitit 1949, Deklaratat dhe Konventat e Hagës për Kuptimin dhe Metodat e Luftimit dhe konventat përkitazi me mbrojtjen e pronës kulturore të cilat Serbia i ka pasur nën përgjegjësi respektimin e këtyre akteve;
Të bindur që ende mbeten të lirë me mijëra kriminelë lufte në Serbi, të cilët kryen krime mbi popullatën civile të Kosovë gjatë luftës së fundit;
Të vendosur që t’i jepet krah drejtësisë për trajtimin e të gjitha krimeve të luftës të kryera në Kosovë nga forcat paramilitare, ushtarake e policore serbe;
Kuvendi i Republikës së Kosovës duke u mbështetur në dispozitat e Nenit 65, paragrafit 1, pikës (1) dhe (9) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Nenit 6, paragrafëve 1 dhe 9 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, nxjerrë këtë:
R E Z O L U T Ë
1. Qeveria e Republikës së Kosovës të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e krimeve të kryera nga aparati shtetëror ushtarak, policor e paramilitar i shtetit të Serbisë të kryera mbi popullin shqiptar të Kosovës për periudhën gjatë viteve 1998-99;
2. Qeveria e Republikës së Kosovës në afat prej një (1) muaji nga miratimi i kësaj rezolute t’i fillojë veprimet përgatitore për krijimin e një arkivi shtetëror i cili do t’i përmblidhte të gjitha dokumentimet lidhur me krimet e kryera mbi popullin e Kosovës nga shteti i Serbisë gjatë luftës së fundit në vendin tonë që përfshinë periudhën sipas pikës 1 të kësaj Rezolute.
3. Arkivi shtetëror nga pika 2 e kësaj Rezolute do të përmbajë dokumentimin e faktuar për secilën vrasje, masakër, dhunim, gjymtim, keqtrajtim, shkatërrim i pronës, shtëpive, fabrikave dhe çdo vjedhje e çdo plaçkitje nga formacionet e armatosura të Serbisë për të cilat ekziston mundësia e mbledhjes së dëshmive relevante. Të gjitha këto veprime do të duhet të jenë të përfunduar për një afat prej një (1) viti nga miratimi i këtij vendimi.
4. Duke u mbështetur nga të dhënat e arkivuara dhe të kualifikuara nga pika 2 dhe 3 të kësaj rezolute, Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të përgatisë një aktpadi kundër shtetit të Serbisë lidhur me përgjegjësinë për krimin e gjenocidit të kryer në Kosovë. Bartës i kësaj padie të jetë Republika e Kosovës e përfaqësuar nga organet e autorizuara në bazë të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi.
5. Për të gjithë procesin e kësaj nisme nga pika 4 e kësaj rezolute, Qeveria e Republikës së Kosovës obligohet që deri në janar të vitit 2017 të parashtrojë aktin e padisë kundër Serbisë pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Aktpadia e parashtruar të përmbajë edhe kërkesën për reparacionin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni që është lëndë e kësaj aktpadie.
6. Qeveria e Kosovës do t’i raportojë Kuvendit të Republikës së Kosovës në afat prej dyzetepesë (45) ditëve pas miratimit të kësaj rezolute.
7. Kjo rezolutë hyn në fuqi ditën e miratimit të saj dhe e njëjta do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.