Një studim i Universitetit të Albertës në Kanada ka dalë në përfundimin se çdo frut i konsumuar gjatë shtatzënisë, rrit nivelin e zgjuarsisë te fëmijët. Sipas ekspertëve, deri më sot vetëm peshku njihej si ushqimi që lidhej me rritjen e zgjuarsisë te fëmijët normalë dhe të shëndetshëm.
Acidet yndyrore Omega-3 që gjenden te peshku ndërtojnë membrana të shëndetshme në qelizat e trurit dhe shkencëtarët kërkonin të dinin nëse edhe frutat e bënin këtë gjë. Dhe doli që edhe frutat ndihmojnë në këtë aspekt.
Ky përfundim është paksa kontrovers, pasi të hash shumë fruta gjatë shtatzënisë rrit nivelin e sheqerit në gjak, duke çuar në probleme me peshën dhe diabetin.
Dr. Piush Mandhane, një nga udhëheqësit e studimit, tha për “Wall Street Journal”: “Është një studim i vetëm ky që kemi bërë dhe nuk e kemi parë akoma se çfarë efekti ka në shëndet shtimi i konsumit të frutave. Nuk do i rekomandonim femrave që presin fëmijë që të hanë fruta sa të munden”.
Dr. Mandhane thotë se shpreson që të bëhen kërkime të mëtejshme në mënyrë që të gjendet dieta optimale për femrat shtatzëna.