Donatori Elbasan Asanaj ndihmon Shkollën e Futbollit “78”
(2L ONLINE) – Vikendi i kësaj jave nuk ishte i zakonshëm për njomakët që stërvitin në Shkollën e Futbollit “78”. Ata u gëzuan tej mase kur panë topat e rinj, rekuizitat e reja dhe të gjitha elementet tjera përcjellëse tamam si i ka hije një akademie profesionale futbolli. Për këtë gjë ata duhet ti falënderohen donatorit Elbasan Asanaj i cili jeton dhe vepron në Zvicër dhe ka dërguar mjete financiare për ti siguruara gjithë këto pajisje.
Në shenjë falënderimi ndaj donatorit Asanaj, Shkolla e Futbollit “78” kishte organizuar një takim me prindërit e futbollistëve dhe përkrahësit e kësaj akademie nga ku u mësuan shumë gjëra. Në rend të parë pa dyshim se do të ishte njoftimi për kontributin e Asanajt drejtuar Shkollës së Futbollit, mirëpo edhe për misionin e tij në të ardhmen që gjithnjë për qëllim do të ketë avancimin e këtyre të rinjve gjilanas.
Arben Zeqiri magjistër i Shkencave Sportive njëherësh pedagog i Shkollës së Futbollit “78” flet për të arriturat e këtij klubi në fillet e saj si akademi e mirëfilltë futbolli.
“Të qenit futbollist është profesion shumë kompleks. E aq më komplekse është që të punosh me talentët e futbollit. Por, duke u bazuar në përvojën time të gjatë si futbollist, gjithë përgatitjen time profesionale edukative e arsimore, i kemi hyrë kësaj pune. Po e përsëris jo të lehtë, por me përkushtim e qasje profesionale për të zhvilluar talentët e rinj dhe për t’ua trasuar rrugën e mundimshme që i pret në formimin e tyre si futbollist profesionist. Për 6 muaj punë rezultatet dhe transformimi tek fëmijët janë evident në kontekstin intelektual, fiziko-lëvizor, psiko-emocional, tekniko-taktik etj. Një falënderim i veçantë për prindërit e fëmijëve të cilët në vazhdimësi na mbeshtesin neve si trajner dhe futbollistët tanë për të na e bërë me të lehtë punën tone profesionale si dhe edukimin e arsimimin fëmijeve për lojën e futbollit . Tash se fundi miku ynë e bashkatdhetari ynë Elbasan Asanaj që jeton në Zvicër e me prejardhje nga Deçani na ka pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme të punës për çka e falënderojmë përzemërsisht. Do të vazhdojmë me ritmin e njëjtë të punës përkushtuese dhe për stinorin e ardhshëm kalendarik futbollistët tanë, pjesëtarë të akademisë sonë do të jenë në gjendje për të hyrë në gara në ligën regjionale të futbollit “, përfundoi Zeqiri.
Asanaj që në Zvicër shërben si menaxher i futbollistëve është në ndjekje të katër futbollistëve të kësaj shkolle ndërsa në të ardhmen nuk përjashtohet mundësia të organizojë ndonjë kamp edhe për klubet tjera.
Genc Sermaxhaj, trajner i kësaj shkolle të futbollit u shpreh i lumtur me ndihmesën e Asanajt që ia bëri pikërisht në shtatë mujorin e themelimit të klubit.
“E falënderojë nga zemra mikun tim Elbasan Asanaj me të cilin njihem prej kohësh. Ai sot i bëri të buzëqeshin shumë fytyra fëmijësh me humanizmin e tij. Me ndihmën e tij ne tani kemi ne dispozicion shume elemente të punës në vazhdim te stërvitjeve. Ne presim edhe në të ardhmen njerëz si Elbasani të na dalin në ndihmë ngase kemi nevoje që në mënyrën sa me profesionale ti stërvitim këta futbollistë të rinjë të cilët janë shumë talent dhe që premtojnë shumë në të ardhmen. Po ashtu i falënderojmë edhe prindërit e fëmijëve të cilët na mbështesin në çdo drejtim. Ne do te vazhdojnë të punojmë profesionalisht dhe presim që nga Shkolla e Futbollit “78” të nxjerrim futbollist kulminant. Kemi disa nga futbollistët që janë jashtëzakonisht të talentuar dhe ne presim nga ta të vazhdojnë me te njëjtin ritëm dhe besoj fuqishëm se një ditë ata do të jenë bartës të lojës nëpër skuadra të mëdha evropian”.
Më të lumturit nga gjithë ky organizim u dukën të jenë vetë futbollistët. Valmir Qerimi, futbollist i dalluar në këtë shkollë të futbollit, njëherit edhe kapiten në grupmoshën e tij u shpreh:
“ I falënderohemi shumë Elbasan Asanaj sepse na ka ndihmuar dhe na ka furnizuar me shumë pajisje profesionale të cilat kemi pasur nevojë. E gjitha kjo ndihmesë vjen pas punës së palodhshme të dy pedagogëve tanë Arben Zeqirit dhe Genc Sermaxhajt të cilët me punën e tyre profesionale e kanë arritur gjithë këtë organizim brenda shtatë muajve themelim si shkollë të futbollit. Shpresojmë në të ardhmen të kemi vazhdimisht këso lloj donacionesh, pasi ne kemi nevojë për mjete profesionale sepse kualitetin e kemi”.
Në fund të gjithë eventit të pranishmit u gostitën me një koktej rasti, me ç’rast prindërit patën mundësi nga afër të informohen për progresin që kanë bërë fëmijët e tyre. Në emër të Këshillit të Prindërve Bejtullah Osmani falënderoi donatorin Asanaj për ndihmesën e bërë dhe trajnerët e kësaj shkolle që dita ditës po merr përmasa të mëdha në mënyrën e të organizuarit një klub profesionit.
/Drilon SYLEJMANI – 2L ONLINE/







