DYLON

Donatorët zotohen në përmbushjen e premtimeve

Avatar photo Redaksia

(2L ONLINE) – Donatorët që kanë premtuar ndërtimin e shtëpive me çelësa në dorë janë zotuar sot para autoriteteve komunale të Gjilanit që këto premtime janë të gatshëm t’i realizojnë menjëherë.

Në këtë mënyrë edhe po realizohet prioriteti i kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, që gjatë mandatit t’i zgjidhë problemet me strehim dhe banim.

EkoHigjiena

Zotimet janë bërë sot në takimin në mes të Valon Shefkiut, drejtor i Urbanizimit dhe i caktuar nga kryetari Haziri për implementimin e projektit për strehim dhe banim, Hazir Mustafa, kryesues i Komisionit ad hoc dhe drejtorit të QPS, Mursel Zymberi me donatotorët që kanë premtuar ndërtim të shtëpive: Abdyl Brestovci- “City Projekts”, Jeton Hyseni – “Ceni Company”, Selman Sylejmani, Sabri Bunjaku si dhe Jashar dhe Nexhat Zymberi.

Drejtori i Urbanizimit Valon Shefkiu, pasi i ka falënderuar të pranishmit për zotimet e tyre, ka thënë Komuna e Gjilanit do të vazhdoj ta implemetojë projektin për strehim social për t’ua ndërtuar shtëpitë familjeve në nevojë, në mënyrë që të bëjnë jetë të dinjitetshme.

Kryetari i Komisionit ad hoc, Hazir Mustafa tha se tashmë kanë nisur së ndërtuari 3 shtëpitë e para, duke filluar nga ajo e Zijadin Marovcës nga donatori i cili është lajmëruar pas mbrëmjes humanitare “Pak nga ne, shumë për ata” Ruzhdi Bunjaku, Nevrije Kërçelit me donator kompaninë “CDC” dhe Astrita Mustafës me donacion të Jashar dhe Nexhat Zymberit.

Edhe pronari i kompanisë “Fluidi” nga Gjilani, Fejzulla Mustafa, ka konfirmuar ndërtimin e dy shtëpive, sikurse edhe pronari i “Vali Ranch”, Fehmi Fetahu për një shtëpi.

Përveç ndërtimit të shtëpive, tashmë ka nisur edhe meremetimi i shtëpive sipas kërkesave të qytetarëve të Komunës së Gjilanit.

Ndryshe, Komuna e Gjilanit i ka ndarë 100 mijë euro për zgjidhjen e problemit të strehimit dhe banimit, ndërsa deri tash në fondin humanitar të Komunës së Gjilanit janë deponuar nga njerëzit e vullnetit të mirë mbi 82 mijë euro dhe mbi 15 mijë franga dhe çdo deponim është bërë publik të ueb faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit./2L ONLINE/