Donacion për zjarrfikësit e Gjilanit
Sot është bërë dorëzimi i 20 aparateve për zjarrfikje për zjarrfikësit e Gjilanit, donacion ky i KFOR-it amerikan, që realizohet me iniciativën e Rotary Club Gjilani.
Në këtë ceremoni, përveç përfaqësuesve të KFOR-it amerikan, si donator, zjarrfikësit së pranues të donacionit, morën pjesë edhe drejtues e përfaqësues të Drejtorisë Komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Gjilanit, rotarianë nga RC Gjilani, përfaqësues të KFOR-it turk dhe të tjerë.
Përndryshe, Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Enver Shabani që mori pjesë në ceremoninë e donacionit të KFOR-it amerikan për Njësinë e Zjarrfikësve në Gjilan, shprehu mirënjohje të veçantë për përfaqësuesit e KFOR-it Amerikan, kolonelin Anderson dhe rreshterin e lartë Hernandez, si dhe për togerin Hüseyin Arslan nga KFOR-i Turk, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
“Falënderim i veçantë edhe për kryetarin e Klubit Rotary në Gjilan, Metush Bajrami, për kontributin dhe mbështetjen, si dhe për mediat lokale dhe të gjithë të pranishmit që nderuan këtë aktivitet”, ka thënë drejtori Shabani
Sipas tij, ky donacion dëshmon rëndësinë e partneritetit dhe bashkëpunimit në forcimin e kapaciteteve të zjarrfikësve dhe në rritjen e sigurisë së qytetarëve.
“Faleminderit të gjithëve për bashkëpunimin dhe përkushtimin!”, u shpreh Shabani. /2LONLINE/
