Donacion për punëtorët e NPL“Tregu”, Fadil Ademi: Pak nga ne, shumë për punëtorët!
Anëtari i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fadil Ademi, së bashku me Selami Nezirin dhe Dushi Bunjakun, ka zhvilluar një vizitë në Ndërmarrjen Publike Lokale “Tregu”, ku janë takuar me drejtorin, Bajram Isufi dhe punëtorët e kësaj ndërmarrjeje.
Gjatë vizitës, Ademi ka shprehur mirënjohje për punën dhe angazhimin e punëtorëve që, siç tha, çdo ditë kujdesen për pastërtinë dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike në qytet.
Në shenjë respekti për punën e tyre, punëtorëve u janë dhuruar disa mjete pune, me qëllim që t’ua lehtësojnë sadopak angazhimin e përditshëm.
“Pak nga ne, shumë për punëtorët. Respekt për punën që e bëni çdo ditë!”, ka thënë Ademi, duke vlerësuar kontributin e punëtorëve në mirëmbajtjen e hapësirave publike.
Ademi ka falënderuar edhe bizneset që mbështetën këtë nismë, në veçanti Eracenter për donacionin me mjete pune, si dhe pronarin e furrës “Pashtriku”, Arsim F. Qoqaj, për përkrahjen e kësaj nisme. /2LONLINE/
