Donacion me pajisje sportive për SHFMU “Agim Ramadani” në Zhegër
SHFMU “Agim Ramadani” në Zhegër është pasuruar me pajisje të reja sportive, falë një donacioni të dhuruar nga Besart Hajrullahu, nga ky fshat.
Donacioni, i pranuar përfshin fanella, topa dhe rekuizita të ndryshme sportive, të cilat do t’u shërbejnë nxënësve dhe aktiviteteve sportive që zhvillohen në shkollë.
Drejtuesit e SHFMU “Agim Ramadani” e kanë vlerësuar këtë mbështetje si një kontribut të drejtpërdrejtë në krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe në nxitjen e aktiviteteve sportive.
“Drejtoria e SHFMU ‘Agim Ramadani’ e falënderon përzemërsisht z. Besart Hajrullahu për këtë gjest human dhe bujar, si dhe për kontributin e tij në krijimin e kushteve më të mira për nxënësit tanë dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive në shkollë”, thuhet në falënderimin e drejtuesve të shkollës.
Drejtoria dhe stafi i shkollës kanë shprehur mirënjohjen për donatorin, duke e konsideruar këtë mbështetje si një shembull të solidaritetit dhe përkushtimit të komunitetit ndaj institucionit arsimor dhe nxënësve. /2LONLINE/
