Dogana zbulon 15 telefona të padeklaruara në bagazhin e një udhëtari në aeroportin e Prishtinës
Dogana e Kosovës, gjatë kontrolleve selektive të udhëtarëve që kalojnë në kanalin e gjelbër në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ka zbuluar mall të padeklaruar në bagazhin e një udhëtari.
Gjatë procesit të kontrollit, zyrtari doganor, përmes vëzhgimit të bagazhit me anë të skanerit, ka vërejtur dyshime lidhur me përmbajtjen e çantës së udhëtarit. Pas kontrollit fizik, në bagazh janë gjetur 15 telefona të përdorur, të cilët nuk ishin deklaruar tek autoritetet doganore.
Vlera e përafërt e mallit të zbuluar është rreth 5,200 euro.
Lidhur me rastin, ndaj udhëtarit është iniciuar procedurë kundërvajtëse doganore për mosdeklarim të mallit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, forcimin e kontrolleve doganore, mbrojtjen e kufijve dhe ruajtjen e interesave financiare dhe ekonomike të Republikës së Kosovës. /2LONLINE/
