Dogana: Parandalohet kontrabanda e produkteve ushqimore
Dje rreth orës 12:30, në hyrje të Pikëkalimit Kufitar “Dheu i Bardhë”, një autobus i linjë ndërkombëtare është ndalur për kontroll të rregullt doganor.
Pas deklarimit se nuk kishte mallra për t’u paraqitur, njësitë doganore, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, kanë selektuar automjetin për kontroll të detajuar në vijën e dytë, njofton Dogana e Kosovës.
Gjatë kontrollit, në hapësira të modifikuara dhe të kamufluara brenda automjetit, është zbuluar një sasi e konsiderueshme mallrash të padeklaruara:
– Produkte ushqimore – çokollata, me sasi totale 620 pako / 1,380 kg, dhe me vlerë të përgjithshme mbi 10,000 euro.
Mallrat e padeklaruara janë konfiskuar, ndërsa ndaj palës së përfshirë është niciuar procedura për kundërvajtje doganore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës thekson se transporti i tillë i produkteve ushqimore, në kushte të papërshtatshme, të fshehura dhe jashtë kontrolleve zyrtare, paraqet rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve, pasi këto produkte mund të dëmtohen, të kontaminohen ose të mos jenë në përputhje me standardet e sigurisë ushqimore.
Dogana e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në forcimin e kontrolleve kufitare, mbrojtjen e tregut, dhe parandalimin e çdo forme të shmangies së detyrimeve doganore, thuhet në njoftim. /2LONLINE/
