DYLON

Dogana e Kosovës zbulon mbi 7 mijë produkte farmaceutike të padeklaruara në Jarinjë

Dogana e Kosovës zbulon mbi 7 mijë produkte farmaceutike të padeklaruara në Jarinjë
Avatar photo Redaksia

Zyrtarët doganorë të Doganës së Kosovës, gjatë ushtrimit të kontrolleve të rregullta në Pikën e Kalimit Kufitar Jarinjë, kanë ndaluar për kontroll një autobus të linjës së rregullt ndërkombëtare.

Gjatë kontrollit të bagazheve të pasagjerëve është identifikuar një valixhe që përmbante një sasi të konsiderueshme barnash dhe produktesh farmaceutike, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore dhe nuk shoqëroheshin me dokumentacionin përkatës.

EkoHigjiena

Nga kontrolli janë evidentuar gjithsej 7,168 produkte farmaceutike, prej të cilave 7,100 ishin në formë kapsulash, ndërsa 68 produkte ishin në forma të tjera farmaceutike, përfshirë shurupe, sprej dhe xhel.

Meqenëse asnjëri nga pasagjerët nuk e ka pranuar pronësinë mbi bagazhin, në përputhje me dispozitat e Ligjit Nr. 08/L-247 – Kodi Doganor dhe i Akcizave, procedura kundërvajtëse është iniciuar ndaj kompanisë transportuese, si subjekt përgjegjës për transportin e mallrave dhe bagazheve në rastet kur nuk identifikohet pronari i tyre. Mallrat e padeklaruara janë ndaluar dhe janë ndërmarrë veprimet e mëtejshme procedurale sipas kompetencave të Doganës së Kosovës.

Kodi Doganor dhe i Akcizave përcakton detyrimin ligjor për deklarimin e çdo malli që i nënshtrohet kontrollit doganor, ndërsa mosdeklarimi ose tentimi për shmangie të procedurave doganore përbën shkelje doganore dhe i nënshtrohet masave administrative dhe kundërvajtëse të parapara me ligj.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e interesave fiskale të Republikës së Kosovës, si dhe në parandalimin e hyrjes në vend të barnave dhe produkteve farmaceutike të padeklaruara ose me origjinë të padokumentuar, të cilat mund të paraqesin rrezik për shëndetin publik dhe sigurinë e qytetarëve, thuhet në njoftimin e doganës. /2LONLINE/