DYLON

Dogana e Kosovës zbulon mallra të padeklaruara në vlerë prej 72.600 euro

Dogana e Kosovës zbulon mallra të padeklaruara në vlerë prej 72.600 euro
Redaksia

Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë, ku gjatë kontrollit të një kamioni janë zbuluar sasi të konsiderueshme të mallrave të padeklaruara, me vlerë të përgjithshme prej rreth 72,600 euro, pa përfshirë detyrimet e importit.

Rasti është identifikuar gjatë procedurës së zhdoganimit, pasi zyrtari doganor, bazuar në dyshimet e krijuara, ka vendosur të verifikojë përputhshmërinë ndërmjet peshës së paraqitur në deklaratën doganore dhe gjendjes faktike të ngarkesës.

EkoHigjiena

Gjatë verifikimit është konstatuar mospërputhje në peshën e kamionit, i cili rezultonte më i rëndë sesa ishte deklaruar. Për këtë arsye, zyrtarët doganorë kanë vendosur që të realizojnë kontroll të detajuar të automjetit dhe ngarkesës.

Si rezultat i kontrollit, janë zbuluar 1,036 palë këpucë dhe 2,980 copë veshmbathje, të cilat nuk ishin të përfshira në deklarimin doganor. Pothuajse të gjitha produktet mbanin marka tregtare të mbrojtura.

Vlera e përgjithshme e mallrave të zbuluara, pa përfshirë detyrimet e importit, vlerësohet në rreth 72,600 euro.

Lidhur me rastin, janë ndërmarrë veprimet përkatëse dhe procedura administrative është në vazhdim, ndërsa janë njoftuar edhe organet kompetente për trajtimin e mëtejmë të rastit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Dogana e Kosovës rikujton se, në bazë të Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, mallrat që i nënshtrohen një procedure doganore duhet të deklarohen saktë dhe në përputhje me gjendjen faktike. Deklarimi i pasaktë ose mosdeklarimi i mallrave mund të përbëjë shkelje të legjislacionit doganor dhe të sjellë masa ligjore, përfshirë detyrimin për pagesën e detyrimeve të importit dhe masat e tjera të parapara me ligj.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës, parandalimin e shmangies së detyrimeve doganore dhe mbrojtjen e konkurrencës së drejtë në treg, përmes kontrolleve të vazhdueshme dhe zbatimit të legjislacionit doganor. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.