Dogana e Kosovës merr pjesë në trajnimin për forcimin e kapaciteteve të kontrollit kufitar
Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes për forcimin e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve doganorë dhe zyrtarëve policorë, është zhvilluar trajnimi mentorues për Njësinë e Kontrollit Kufitar (LCU) në Vërmicë, i organizuar nga Zyra Rajonale e UNODC-së për Evropën Juglindore (ROSEE).
Trajnimi kishte për qëllim avancimin e njohurive dhe forcimin e aftësive praktike të zyrtarëve të angazhuar në Njësinë e Kontrollit Kufitar, veçanërisht në profilizimin dhe kontrollin e dërgesave me rrezik të lartë, si dhe në zbatimin e teknikave moderne të kontrollit dhe identifikimit.
Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve për të rritur efektivitetin e kontrolleve kufitare dhe për të forcuar reagimin e koordinuar ndaj krimit të organizuar transnacional dhe trafikimit të paligjshëm, duke kontribuar në një menaxhim më efikas dhe profesional të pikave të kalimit kufitar.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të zyrtarëve të saj dhe në forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim rritjen e sigurisë dhe efikasitetit të kontrolleve kufitare. /2LONLINE/
