Dogana e Kosovës: Mbetemi të përkushtuar në parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të ligjshëm
Dje më datë 17.11.2025, rreth orës 16:30, Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë zbatimit të një plani operativ në rajonin e Leposaviqit, në fshatin Junake, kanë ndaluar një automjet që kishte hyrë në territorin e Republikës së Kosovës përmes vijës së gjelbër / rrugëve të paautorizuara.
Gjatë kontrollit të automjetit është konstatuar se transportoheshin rreth 600 kg djathë, veshmbathje tekstili dhe medikamente, me vlerë të përafërt rreth 7,000 euro, thuhet në njoftimin e Doganës.
Malli është sekuestruar dhe procedurat ligjore janë iniciuar sipas kompetencave të Doganës së Kosovës. Rasti po trajtohet në koordinim me organet hetimore për të përcaktuar të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë e mundshme.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të ligjshëm përmes veprimeve të koordinuara me institucionet e sigurisë, thuhet në njofitm. /2LONLINE/
