/2L ONLINE/ – Ruhan Kurteshi nga Zhegra e Gjilani, i njohur për aktivitetin e tij qytetar, është tërhequr ditë më parë nga pozita e koordinatorit të Iniciativës Qytetare të Zhegrës (IQZH), për t’u riaktivizur në politikë. Dhe, këtë vikend, në takimin e kryesisë së nëndegës së PDK-së, në këtë fshat, ai ka marrë besimin për të qenë kryetar i nëndegës së PDK-së.
Kurteshi e ka konfirmuar për Portalin 2L ONLINE, këtë besim të marrë për të qenë i pari i PDK-së në Zhegër, duke bërë të ditur se paraprakisht kryesia me votë kishte miratuar tërheqjen e kryetarit të deritanishëm në këtë post, Fatmir Haziri, për të mbështetur pastaj me votë, atë për kryetar nëndege.
Dhe, e veçanta e kryetarit të ri, të PDK-së, nëndega në Zhegër, është se ai dëshiron këtë nëndegë ta shndërrojë në degë të PDK-së, duke e ndërlidhur këtë me themelim të komunës së Zhegrës, për çka ai ishte angazhuar shumë dhe edhe tani thotë se do të punojë në këtë drejtim që edhe ligjërisht Zhegra të bëhet komunë, sa më parë.
Ruha Kurteshi
Kurteshi ka rikujtuar 13 korrikun e vitit 2013 kur Hashim Thaçi, asokohe kryeministër, simbolikisht kishte shpallur Zhegrën komunë, ndërsa tri ditë më vonë qeveria kishte marrë një vendim të tillë për themelimin e Komunës së Zhegrës, por se Parlamenti i Kosovës nuk ka proceduar tutje me ndryshimin e ligjeve përkatëse që kjo të mundësohet.
Ruhan Kurteshi kujton po ashtu edhe mbështetjen e atëhershme që ka marrë Iniciativa e Zhegrës për të gjetur mbështetje edhe në Parlament që të kalojë kjo çështje dhe Zhegra edhe ligjërisht të bëhej komunë, dhe në këtë drejtim përmend takimet që i kanë pas dhe mbështetjen që e kanë marr nga takimet me Adem Grabovcin (PDK), Ismet Beqirin (LDK), Visar Ymerin (Vetëvendosje) dhe Ardian Gjinin (AAK), andaj pret që subjektet politike që përfaqësohen në Parlament, tani të merren me këtë çështje sa më parë, duke ndërruar ligjet përkatëse që kanë të bëjnë me këtë çështje, si të atij që ka të bëjë me kufijtë administrativ të komunave dhe të ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
“Po bëhen gati dy vite që prej se simbolikisht Zhegra është shpallë komunë dhe do të ishte mirë që pikërisht deri në korrik edhe të kryhet kjo dhe në një datë simbolike edhe të bëhet Zhegra komunë edhe ligjërisht”, ka thënë Ruhan Kurteshi, tani kryetar i nëndegës ës PDK-së në Zhegër të Gjilanit. /2L ONLINE/
arkiva