/2L ONLINE/ – “Lëvizja për Integrimin e Luginës së Preshevës, informon se në emër të qytetarëve shqiptarë të tri komunave të Luginës së Preshevës: Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, si dhe në emër të qytetarëve të Luginës, të shpërngulur në Kosovë, ka filluar përgatitjen e dosjes për padinë ndaj Serbisë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e njeriut në Strasburg”, kanë bërë të ditur drejtuesit e kësaj Lëvizjeje.
“Objekt i kësaj padie do të jetë politika zyrtare e shtetit serb për fshirjen e qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës nga evidenca e regjistrave civil si dhe nga librat amë të vendbanimeve apo adresave (aty ku kanë lindur, jetuar dhe ende i kanë shtëpitë) dhe mohimi i rregullimit të dokumentacioneve personale të këtyre qytetarëve (certifikata e lindjes, letërnjoftimi, pasaporta dhe nënshtetësia), veprime të cilat sjellin si pasojë humbjen e shtetësisë në mënyrë arbitrare”, ka thënë për Portalin 2L ONLINE, Fatmir Arifi, kryetar i kësaj Lëvizje.
Sipas tij, në mesin e provave të tjera materiale, si më e rëndësishmja konsiderohet Peticioni i 12. 000 qytetarëve të Luginës së Preshevës, dorëzuar Parlamentit Evropian, kundër këtyre veprimeve të qeverisë serbe, përfunduar këtë vit.
“Këto politika dhe veprime zyrtare të shtetit serb shkelin rëndë të drejtat dhe liritë themelore të parapara me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, dhe për të njëjtat parashihen dëmshpërblime materiale dhe morale për shtetin që shkel këto të drejta”, ka thënë Fatmir Arifi, kreu i Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës. /2L ONLINE/
Fatmir Arifi