DnV: Fushata zgjedhore dinamike, por pa përfillje të masave mbrojtëse kundër Covid-19

DnV: Fushata zgjedhore dinamike, por pa përfillje të masave mbrojtëse kundër Covid-19

Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim (DnV) mbajti sot konferencë në të cilën shpalosi të gjeturat nga vëzhgimi i tre ditëve të para të fushatës zgjedhore, me theks aktivitetet zgjedhore të subjekteve politike në terren dhe ato në mediat tradicionale e rrjetet sociale.

Jeta Krasniqi njoftoi se DnV ka filluar monitorimin e fushatës zgjedhore në shtatë qendrat më të mëdha të Kosovës dhe komunat me shumicë serbe me anë të angazhimit të 16 vëzhguesve afatgjatë. Sipas saj, kjo fushatë për dallim nga vitet e tjera duket të jetë më dinamike, më e elektrizuar, e shpalosur në forma të tjera (parakalime në sheshe) dhe me interes të shtuar të qytetarëve për pjesëmarrje përkundër Covid-19. Është evidentuar që subjektet politike të kenë përdorur dhe format virutale për të shpalosur programet e tyre elektorale gjithsesi nuk kanë munguar format tradicionale të të bërit fushatë pavarësisht përballjes me pandeminë Covid-19. Sa i përket aspektit medial, kjo fushatë po mbulohet me një interesim të shtuar me anë të emisioneve të shumta me pjesëmarrje të konsiderueshme të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre si dhe analizave zgjedhore.

Në tre ditët e para të fushatës zgjedhore, DnV ka monitoruar 40 aktivitete të subjekteve politike, pjesa më e madhe e të cilave kanë qenë tubime publike (24). Gjithsesi nuk kanë munguar as format e tjera si takime me grupe të shënjestruara (9), ecje në shesh, takime me familje, me mësimdhënës apo dhe shtande. Pjesa më e madhe e aktiviteteve zgjedhore të monitoruara nga LTO-të, kanë qenë të organizuara në Prizren, Ferizaj dhe Gjilan.

Vëzhguesit e DnV-së kanë evidentuar që në pjesën dërrmuese të aktiviteteve zgjedhore që subjektet politike i kanë zhvilluar qoftë në ambiente të jashtme apo dhe të mbyllura, kufizimet e vendosura nga IKSHPK lidhur me masat anti-Covid, nuk janë respektuar. Subjektet politike kanë vazhduar me organizimin e aktiviteteve me numër të madh të qytetarëve, duke mos përfillur kufizimet lidhur me numrin e lejuar të pjesëmarrësve. Në të njëjtën kohë, mosmbajtja e distancës sociale dhe e maskave ka qenë evidente në pothuajse të gjitha aktivitetet e monitoruara.

Ligji dhe rregullat zgjedhore obligojnë secilin subjekt politik të certifikuar si pjësëmarrës në zgjedhje, që të lajmërojnë në Komisionet Komunale Zgjedhore (KKZ) aktivitetet zgjedhore të planifikuara në një komunë të caktuar së paku 24 orë para mbajtës së tyre. Sipas të dhënave të marra nga Komisionet Komunale Zgjedhore (KKZ), rezulton që 33% e aktiviteteve zgjedhore nuk kanë qenë të paralajmëruara siç e kërkon ligji. Duhet theksuar që ka aktivitete zgjedhore që janë duke u zhvilluar për të cilët KKZ-të si dhe monitoruesit e DnV-së nuk kanë informacione.

Në bazë të të dhënave nga terreni, subjektet politike në aktivitetet e tyre zgjedhore po shpalosin premtimet elektorale me fokus në tre kategori të temave si: zhvillimi ekonomik, bujqësia dhe punësimi, sigurimet shëndetësore, pensionet dhe mirëqenia sociale si dhe arsimi.  Gjithsesi në këto aktivitete nuk kanë munguar as akuzat ndaj subjekteve të tjera politike duke përdorur gjuhë nxitëse mbi baza politike. Kjo është evidentuar në 13% të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara.

Subjektet politike kanë bërë edukimin e votuesve në 35% të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara nga DnV, qoftë duke treguar numërin e partisë së tyre dhe kandidatëve për deputet, duke treguar mënyrën se si të votohet dhe apo duke shpërndarë broshura me numër të subjekteve të tyre.

Krasniqi tha që edhe gjatë kësaj fushate zgjedhore, DnV është duke monitoruar qasjen dhe hapësirën që personat me aftësi të kufizuara kanë në aktivitetet zgjedhore, bazuar në të drejtën fundamentale të të gjithë qytetarëve për tu informuar. Në bazë të monitorimit në terren, DnV ka vërejtur që infrastruktura për qasje të personave me aftësi të kufizuara nuk është ofruar në rreth 35% të aktiviteteve të monitoruara. Ndërsa nuk kishte asnjë rast ku folës ishin personat me aftësi të kufizuara.

Pjesëmarrja e ulët e grave në aktivitete zgjedhore ka përcjellur të gjitha proceset zgjedhore në Kosovë pavarësisht preorgativave ligjore dhe kushtetuese të cilat garantojnë barazi gjinore. DnV ka evidentuar që i njëjti trend po mbizotëron dhe në hapësirën dukshëm më të ulët që subjektet politike po iu ofrojnë grave gjatë aktiviteteve zgjedhore. Vetëm 23% e folësve në aktivitetet e monitoruara ishin gra, ndërsa gratë përbënin 28% të pjesëmarrësve në këto aktivitete zgjedhore.

Në përgjithësi, atmosfera në të cilën aktivitetet zgjedhore janë zhvilluar ka qenë e qetë. Në shumicën e rasteve të monitoruara Policia e Kosovës është përkujdesur për sigurimin e aktiviteteve zgjedhore. Mediat kanë qenë të pranishëm në rreth 83% të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara.

KOMENTE