DnV fton subjektet politike që t’a përdorin fushatën për të shpalosur orientimet programore

DnV fton subjektet politike që t’a përdorin fushatën për të shpalosur orientimet programore

Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim (DnV) mbajti sot konferencës e radhës në të cilën shpalosi planin për monitorimin e fushatës zgjedhore e cila zyrtarisht fillon më 3 dhe përfundon më 12 shkurt 2021, si dhe të gjeturat nga monitorimi i debateve televizive gjatë dy javëve të fundit të parafushatës.

Eugen Cakolli njoftoi se DnV ka angazhuar 16 vëzhgues afatgjatë për të vëzhguar në baza ditore aktivitetet zgjedhore të subjekteve politike në shtatë qendrat më të mëdha të Kosovës, përfshirë edhe disa komuna të banuara me shumicë serbe. Ndonëse subjektet politike dhe kandidatët e tyre përdorën “parafushatën” për takuar strukturat dhe simpatizantët e tyre dhe për t’i bërë publike e ofertat e tyre politike, DnV në periudhën dhjetë-ditore të fushatës zyrtare zgjedhore do të vazhdojë të fokusohet në monitorimin e aktiviteteve të tyre zgjedhore në mediat tradicionale dhe rrjete sociale.

Me qëllim të rritjes së transparencës në financimin e fushatave të subjekteve politike, DnV u ka dërguar të gjitha subjekteve politike një pyetësor përmes të cilit synohet të merren informata mbi shpenzimet që subjektet politike planifikojnë të bëjnë gjatë fushatës zgjedhore.

Sikurse në çdo palë zgjedhje, DnV ripërsëritë thirrjen për subjektet politike që të respektojnë tavanin e shpenzimeve të vendosur nga KQZ, duke apeluar që raportet financiare të reflektojnë edhe shpenzimet që tashmë subjektet politike i kanë bërë gjatë parafushatës. DnV po ashtu kërkon nga subjektet politike që të deklarojnë edhe shpenzimet e bëra nga kandidatët e tyre dhe që ato të jenë subjekt i tavaneve të përcaktuara me ligj. Duke i bërë kuletat e tyre transparente për publikun, subjektet politike do të demonstrojnë gatishmëri për të qeverisur me integritet dhe në mënyrë transparente.

Duke qenë se rregullativa zgjedhore kërkon që fushata zgjedhore të zhvillohet mbi premisat e një gare të barabartë dhe duke shmangur gjuhën denigruese, DnV kërkon që gara zgjedhore të zhvillohet në frymë të qetë dhe që në thelb te jetë konkurruese. Në këtë drejtim, vlen të përmenden incidentet e raportuara gjatë vizitës së U.D. të Presidentit, Vjosa Osmani, dhe Albin Kurtit si kandidat për kryeministër nga radhët e LVV, në pjesën veriore të vendit dhe në Komunën e Mitrovicës së Jugut, si dhe gjatë vizitës së djeshme e këtij të fundit në komunën e Skenderajt. DnV i vlerëson këto incidente si krejt të papranueshme dhe të dënueshme, dhe rithekson që të gjitha subjektet politike, pavarësisht etnisë̈ apo orientimit politik, kanë të drejtën e lëvizjes së lirë dhe bërjes fushatë në çdo pjesë të vendit. Prandaj, duhet që qytetarët të përmbahen nga çfarëdo veprimi të dhunës që mund të pengojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Qytetarët më shumë se kurrë kanë nevojë t’u ofrohen platforma të qarta politike në mënyrë që ata të marrin vendime mbi baza të programeve dhe ofertave politike. Duke u mishëruar me këto oferta në këtë fazë, qytetarët do të jenë më të prirë të kërkojnë llogaridhënie për implementimin e këtyre programeve.

DnV ka evidentuar shumë aktivitete zgjedhore të cilat janë zhvilluar pa përfilljen e masave anti-Covid, gjë që përbën rrezik për shëndetin e qytetarëve. Prandaj, DnV kërkon nga subjektet politike që ti respektojnë kufizimet mbi numrin e pjesëmarrësve në tubime, si dhe të konsiderojnë përdorimin e teknologjisë informative për zhvillimin ‘online’ të fushatës, për aq sa është e mundur. Ndërsa, nga institucionet përkatëse, sidomos ato të nivelit lokal, u kërkua që të ndiqet shembulli i komunës së Prishtinës, dhe të shqiptohen gjoba ndaj të gjitha subjekteve politike në rast të mosrespektimit të masave kundër përhapjes së Covid-19. Amnistimi i partive politike për mosrespektim të masave, mund të kushtojë me rritje të infeksioneve, mbingarkesë të shërbimeve shëndetësore e humbje të jetëve.

Legjislacioni në fuqi ndalon gjithashtu dhe përdorimin e resurseve publike, financiare dhe njerëzore për qëllime të fushatës, pasi që përdorimi i tyre krijon avantazh të dallueshëm dhe çrregullon parimin e garës së barabartë në mes të subjekteve. Andaj DnV kërkon nga subjektet politike, posaçërisht ato në pushtet, si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal, që të mos e shfrytëzojnë resurset publike. 

DnV iu rikujtoi subjekteve politike garuese në këto zgjedhje që të respektojnë parimin e barazisë gjinore duke ofruar hapësirë të barabartë për gratë kandidate për të shpalosur idetë e tyre, duke iu ofruar qasje të barabartë në financa të subjekteve politike, për një garë zgjedhore të barabartë.  

Puna e trupave menaxhuese të zgjedhjeve, u vlerësua relativisht efikase, me përmbylljen e shumicës së aktiviteteve brenda afateve të parapara. Sa i përket çështjes së certifikimit të kandidatëve, DnV vlerëson që PZAP dhe Gjykata Supreme është dashur që të obligojë subjektet politike, kandidatëve të së cilave nuk u është lejuar garimi, që t’i rirendisin kandidatët e mbetur, bazuar edhe në kërkesën ligjore për praninë e një kandidati të kundërt në çdo treshe të kandidatëve.

Ndërsa, për operacionin e votimit jashtë vendit, u tha se KQZ, pavarësisht shtimit të ndjeshëm të kapaciteteve, nuk ka arritur t’a përmbyllë në kohë verifikimin e votuesve përmes telefonatave, për shkak edhe të fluksit shumë të madh të votuesve. Prandaj, KQZ duhet të vijojë me verifikimin e të gjithë votuesve jashtë vendit që kanë aplikuar brenda afatit ligjor, por duke u kujdesur që ky proces të mos krijojë implikime në operacionet tjera zgjedhore. Sidoqoftë, u kërkua që pas zgjedhjeve, ky operacion të vlerësohet në tërësi, dhe problemet e hasura në kuadër të tij të adresohen, në mënyrë që për zgjedhjet e nivelit lokal që pritet të mbahen në vjeshtë, administrimi të bëhet nga mësimet e nxjerra nga ky proces. Sipas të dhënave të deritanishme, ka një interes shumë të madh të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit për të votuar, me mbi 100 mijë aplikacione të aprovuara, që përbën një element pozitiv të këtij procesi. Megjithatë, duke qenë se periudha e votimit do të zgjasë vetëm 11 ditë, DnV rikujtoi që afati për arritjen e fletëvotimeve është 24 orë para ditës së zgjedhjeve, andaj u kërkua nga qytetarët që sa më shpejtë të dërgojnë fletëvotimet e tyre, duke evituar situatat e mospranimit të tyre për shkak të vonesave të caktuara.

Lidhur me trajnimet për anëtarët e këshillave të vendvotimeve, që do të mbahen ditëve në vijim, DnV kërkoi nga KQZ që të rrisë kualitetin dhe kontrollin e tyre, duke adresuar sidomos mangësitë e evidentuara në administrimin e procesit në ditën e zgjedhjeve, gjatë proceseve të kaluara.

Cakolli gjithashtu njoftoi se DnV ka filluar fushatën e edukimit të votuesve, duke i bërë thirrje qytetarëve që të informohen drejtë mbi mënyrën e votimit që vota e tyre të jetë e vlefshme. Ai gjithashtu iu bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë në ditën e zgjedhjeve. 

KOMENTE