DKA zhvillon takim me drejtorët e shkollave, diskutohen përgatitjet për vitin e ri shkollor
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, në Komunën e Kamenicës, Selami Klaiqi së bashku me stafin e kësaj drejtorie ka zhvilluar takim me drejtorët e shkollave të Komunës së Kamenicës me qëllim koordinimin e përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2026/27.
Gjatë takimit u diskutuan një sërë çështjesh me rëndësi për mbarëvajtjen e procesit arsimor duke përfshirë përgatitjet për fillimin e vitit shkollor, organizimin e procesit mësimor dhe zbatimin e mësimit tërëditor.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe vlerësimit të nxënësve, rritjes së cilësisë së mësimdhënies, disiplinës dhe vijueshmërisë së nxënësve, si dhe mirëqenies së tyre në mjediset shkollore.
Në takim u diskutua gjithashtu për procesin e digjitalizimit dhe dokumentacionin shkollor, menaxhimin dhe përgjegjësitë e drejtorëve, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me prindërit dhe komunitetin.
Po ashtu, u prezantuan aktivitetet dhe prioritetet e përbashkëta të DKA-së për vitin shkollor 2026/27, ndërsa drejtorët e shkollave patën mundësinë të paraqesin çështjet e hapura dhe nevojat e institucioneve që drejtojnë.
Drejtori i Arsimit, Selami Klaiqi theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet DKA-së dhe institucioneve arsimore.
“Fillimi i një viti të ri shkollor kërkon përgatitje, përgjegjësi dhe bashkëpunim të përbashkët. Synimi ynë është që çdo shkollë të jetë e gatshme për të ofruar një proces mësimor sa më cilësor dhe një ambient të sigurt e mbështetës për çdo nxënës. Bashkë me drejtorët dhe stafin arsimor do të vazhdojmë të punojmë për avancimin e arsimit në Komunën e Kamenicës”, u shpreh drejtori Klaiqi.
Në përfundim të takimit u përcaktuan detyrat dhe përgjegjësitë për institucionet përkatëse, me qëllim që përgatitjet për vitin e ri shkollor të zhvillohen në mënyrë të koordinuar dhe efikase. /2LONLINE/
