DYLON

DKA: Kolizioni ligjor – shkas për anulimin e konkursit në shkollën e Mjekësisë

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Opozita (PDK) në Gjilan, duke u bazuar në një vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, për anulimin e konkursit për drejtor në shkollën e mesme të Mjekësisë “Asllan Elezi”, ka akuzuar qeverisjen komunale për shkelje ligjore, në këtë rast.

Drejtoria e Arsimit në një sqarim të saj ka thënë se për hir të korrektësisë, Drejtoria e Arsimit sqaron se në rastin konkret nuk ka asnjë shkelje ligjore, por anulimi i konkursit nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës është bërë për shkak të kolizionit ligjor.

EkoHigjiena

Opozita mund të reagojë, por reagimet e saj nuk janë shkas për anulimin e konkursit për drejtor të kësaj shkolle, thuhet në sqarimin e DKA-së. Më parë opozita do të duhej të dijë se si janë pranuar drejtorët dhe z/drejtorët në dy mandatet e qeverisjes së PDK-së.

Përsëritja e konkursit për drejtor të shkollës së Mjekësisë “Asllan Elezi” në Gjilan, është bërë me vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, pas ankesës së Rahim Azemit, për shkak të mospranimit të tij në këtë pozitë.

Drejtoria e Arsimit nuk ka bërë asnjë shkelje me pranimin e Shaban Tërstenës për drejtor të shkollës së Mjekësisë. Anulimi është shkas i kolizionit ligjor në mes të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës (nr.04L-032), i cili parasheh kritere dhe procedurë ekskluzive për zgjedhjen e drejtorëve dhe z/drejtorëve, në njërën anë, si dhe Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, në anën tjetër (Ligji, nr. 03/L-149), i cili parasheh procedurë dhe kritere të cilat janë krejtësisht ndryshe nga Ligji i Arsimit Parauniversitar.

Përderisa Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me rastin e përzgjedhjes së drejtorëve dhe z/drejtorëve të Institucioneve Edukativo-Arsimore dhe Aftësuese kërkon zbatimin e Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, në rastet kur kemi të bëjmë me kontest ankimor, që ushtrohet në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës (KPMSHC), drejtorët dhe z/drejtorët trajtohen si shërbyes civilë dhe aplikohet Ligji i Shërbimit Civil.

Me rastin e përzgjedhjes së drejtorit të shkollës së Mjekësisë në Gjilan, Shaban Tërstena nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore. Këtë e kanë vërtetuar edhe Inspektorët Regjionalë të Arsimit, mirëpo kemi të bëjmë me një vendim të KPMSHC-së, që drejtorët dhe z/drejtorët i trajton si shërbyes civilë dhe kërkon që rekrutimi në këto pozita të bëhet sipas Ligjit për Shërbimin Civil.

Autoritetet arsimore në Gjilan shprehen të gatshme për zbatuar vendimin e KPM-ës. “Ne do ta zbatojmë vendimin e KPMSHC-së si dhe çdo vendim tjetër të institucioneve administrative apo gjyqësore që ka të bëjnë me kontestet nga marrëdhënia juridike e punës. Kryetari i Komunës, për shkak të transparencës dhe obligimit ligjor, ka njoftuar me shkrim KPMSHC-së, se do ta zbatojë vendimin e Këshillit për përsëritjen e konkursit”, thuhet në sqarimin e Drejtorisë së Arsimit.

Përndryshe, zgjedhja e Shaban Tërstenës është bërë në përputhje të plotë me Ligjin mbi Arsimin Parauniversitar dhe ai i ka plotësuar të gjitha kushtet e konkursit. /2L ONLINE/

/fotoilustrim/