DKA dhe Instituti Pedagogjik i Kosovës diskutojnë për mbështetjen e shkollave gjatë vitit shkollor 2026–2027
Drejtoria Komunale e Arsimit në Kamenicë ka organizuar një tryezë diskutimi me Institutin Pedagogjik të Kosovës, me fokus planifikimin e aktiviteteve mbështetëse për shkollat gjatë vitit shkollor 2026–2027.
Në këtë tryezë morën pjesë kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, drejtori i Arsimit, Selami Klaiqi, përfaqësues të Institutit Pedagogjik të Kosovës, drejtorë të shkollave dhe stafi i Drejtorisë Komunale të Arsimit.
Në hapje të tryezës drejtori i Arsimit, Selami Klaiqi, theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe Institutit Pedagogjik të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të cilësisë në arsim.
“Kjo tryezë është një mundësi e rëndësishme për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe Institutit Pedagogjik të Kosovës. Bashkëpunimi i vazhdueshëm me institucionet profesionale është i domosdoshëm për të identifikuar nevojat e shkollave, për të trajtuar sfidat dhe për të gjetur zgjidhje që ndikojnë në rritjen e cilësisë në arsim. Është e rëndësishme që përvojat e stafit shkollor dhe të institucioneve profesionale të dëgjohen dhe të merren parasysh. Përmes kësaj tryeze synojmë të shkëmbejmë përvoja e praktika të mira, të diskutojmë sfidat me të cilat përballen shkollat dhe të identifikojmë fushat ku mbështetja e Institutit Pedagogjik mund të ketë ndikim konkret. Qëllimi është që nga kjo tryezë të dalim me rekomandime për bashkëpunimin e mëtejmë”, u shpreh drejtori Klaiqi.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, vlerësoi pjesëmarrjen e Institutit Pedagogjik të Kosovës si një mundësi të rëndësishme për trajtimin profesional të sfidave në arsim. Ai theksoi se arsimi është baza e zhvillimit të të gjitha fushave të tjera dhe se investimet në këtë sektor duhet të shoqërohen me rezultate konkrete.
“Arsimi është baza e zhvillimit të të gjitha fushave të tjera. Në këto pesë vite investimet më të mëdha i kemi bërë pikërisht në arsim. Jemi të interesuar që këto investime të rriten, por njëkohësisht duhet të kërkojmë rezultate konkrete dhe të vlerësojmë nëse po arrijmë qëllimet tona. Nëse diçka nuk shkon siç duhet duhet ta identifikojmë ku po gabojmë dhe të punojmë për ta përmirësuar. Ne po punojmë për fëmijët e Kamenicës dhe për të ardhmen e këtij vendi. Prandaj mbështetja jonë për shkollat dhe të gjithë ata që kontribuojnë në arsim nuk do të mungojë. E rëndësishme është të punojmë së bashku për ngritjen e cilësisë në arsim”, u shpreh kryetari Rahimaj.
Ndërkaq Tringa Dedi nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, theksoi se qëllimi i tryezës është forcimi i bashkëpunimit me Komunën e Kamenicës dhe diskutimi i sfidave me të cilat përballen institucionet arsimore.
Ajo theksoi gatishmërinë e Institutit për të ofruar mbështetje profesionale, për të identifikuar pikat e forta dhe të dobëta dhe për të kontribuar në zgjidhjen e problematikave që paraqiten në shkolla.
Tryeza synon të shërbejë si një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit të strukturuar ndërmjet Komunës së Kamenicës dhe Institutit Pedagogjik të Kosovës, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së arsimit. /2LONLINE/
