Diva që u shua në fillesat e karrierës artistike
Artistja mendje hapur, që mëtonte të lartësonte teatrin në nivelet e të paimagjinueshmes
Xhevahire Murtezi – Shahiqi (1958 – 1986)
Nga Isak N. Bilalli
Fillim vitet e ’70-ta, shënojnë fillimin e epokës së një zhvillimi kulturore të hovshëm në rajonin e Anamoravës që epiqendër e kishte teatrin respektivisht aktivitetet kulturore që zhvilloheshin aty dhe lidhur me te. Në ato kohëra të arta, në shtëpinë e kulturës së Gjilanit dyndeshin artdashës të shumtë, jo vetëm me interesimin për të ndjekur aktivitetet kulturore por kishte rritje numrash të atyre me interes e vullnet të madh për t’u bërë pjesë e kësaj industrie. Ne këtë faze të lulëzimit kulturorë në teatër, vijnë nga Teatri i Kombësive të Shkupit regjisorët Muharrem Shahiqi e Fetah Mehmeti në bashkëpunim të ngushtë me Faruk Begollin e të tjerë profesioniste fillojnë e grumbullojnë të rinj që kishin dëshirën për t’i kontribuar artit teatral.
Një nga emrat më premtues që i bashkohet këtij evolucioni kulturorë padyshim ishte edhe Xhevahire Murtezi e cila shquhej për intuitën, intelektin dhe dëshirën e madhe për t’i shërbyer skenës por mbase në plan të parë duhet spikat faktin që para së gjithash ajo kishte talentin e rrallë për të ushtruar profesionin e aktores. Regjisoret dhe kritiket e kohës e quanin atë një profesioniste të lindur e cila dinte të kontrollonte milimetrikisht si me lëvizje mizanskenike poashtu edhe me fuqinë e fjalës, punën e aktores në skenë, detyrë të cilën e realizonte me shumë përkushtim dhe pasion. Emri i saj, sot e asaj dite kujtohet si një artiste e kompletuar e cila shquhej për afërsi kolegiale me një energji motivuese dhe gjallëruese me të gjithë, si në skenë po ashtu edhe jashtë saj.
Për ta njohur me nga afër botëkuptimin dhe horizontin e saj në raport me artin në përgjithësi respektivisht skenën në veçanti, është dashur të komunikoja me miq e kolegë të shumtë artistë për të zbërthyer sado pak shpirtin e saj artdashës me të cilët ajo punoi, bashkëpunoi dhe u shoqërua deri në ditën kur ajo u largua papritmas.
Çfarë ishte teatri për Xhevahiren?
Teatri për te ishte një arene ku njerëzit vijnë për të shijuar cilësinë, të bukurën, është vendi ku të gjitha shtresat e popullatës gravitojnë për te marre motiv për t’a vështruar jetën nën llupën e bukurive dhe të mirave që ofrohen nga jeta.
Vështrimi i saj për artin nuk ka qenë i lidhur vetëm me skenën se si duhet një aktor/e të nxis ndryshim pozitiv në shoqëri por filozofia e saj artistike ka qenë e ndërlidhur ngusht me dinamikën zhvillimore si komb, ku sipas saj do të duhej të synonim aty ku qëndronin popujt evropian në raport me artin. Sipas saj, nuk ka patur dhe nuk duhej të kishte asnjë ndalese që ne, të qëndronim në nivelet më të larta të art bërjes sepse është vendi ku në meritonim të ishim.
Xhevahireja ka qenë person genuin, e cila në çdo situatë ka qenë vetvetja në reflektimin e vizionit artistik duke ditur të shkrije vallëzimin, këngën dhe aktrimin në një mënyrë krejt të veçantë dhe i ka vënë në shërbim të kauzës së përgjithshme e cila me kontributin e saj i ka dhënë gjallëri jetës kulturore dhe skenës në veçanti. Ajo ka qene një person me integritet të lartë, vizioni i së cilës kishte një radius të gjerë mendimi krijues e për rrjedhojë ajo ka ditur të mendojë dhe te guxojë kapjen e majave në art. Të qënit shumëdimensionale dhe me guxim artistik të madh, në rininë e hershme të saj, ajo vete në Shkup dhe ndjek kursin e baletit dhe duke mos dashur të rrinte asnjë sekonde pasive shumë shpejt bëhet pjesëtare e rregullt e ansamblit të valleve Shota.
Mes Shkupit e Prishtinës, Xhevahireja nuk linte pa ndjekur nismat apo aktivitetet kulturore që zhvilloheshin edhe në teatrin e qytetit ne vendlindje, me të cilin rast regjisori Muharrem Shahiqi i fascinuar nga dinamika e potenciali i saj, pa u menduar dy herë i ofron rol kryesorë në shfaqjen që kishte filluar ta vinte në skenë “Dasmë në luftë” – 1975. Kolegët e kohës, pohojnë se: që në rolin e parë ka patur një ngjizje si me zamkë me skenën sikur te ishte profesioniste me përvojë të gjatë në skenë, edhe pse ajo vetëm sa kishte filluar të prezantohej e të ambientohej me skenën.
Për Xhevahiren gjithçka ishte e lehtë dhe e bëshme…
Që në fillesat e karrierës, ka qenë shumë e dukshme që ajo ishte një artiste me bagazh të madh kreativ me potencial të madh për të i dhënë hov edhe më të madh jetës kulturore që tashme ishte ne rritje në teatrin e qytetit. Kur jemi te potenciali i saj duhet thënë se ajo përveç se ka qenë proaktive si natyrë, kontributin nuk e ka patur të kufizuar vetëm në raport me rolin e saj por më shfaqjen në tërësi. Në një farë forme Xhevahireja ka shërbyer si asistent regjisore në skenë duke ju vënë në ndihmë çdo aktori apo aktoreje që mund të ketë çaluar gjatë performimit si dhe gjatë provave. Këtë e vërtetojnë të gjithë aktorët që kanë luajtur me te sepse ajo para së gjithash duke nisur nga provat e tavolinës nuk e ka përvetësuar vetëm tekstin e saj por të gjithë shfaqjes dhe këtë e ka bërë nga dëshira e flaktë për të nxjerrë shfaqjen të realizuar si është më së miri. Ajo ka ditur të valëzojë gjatë procesit të realizimit të shfaqjes duke u bërë aspiruese dhe ndihmesë për çdo anëtar të ekipit të shfaqjes.
Ashtu siç ka qenë krye valltare në ansamblin Shota, pothuajse njësoj ka ditur të vallëzojë me dallgët e rolit në skene për te cilën dhunti koleget me të cilët ka ndarë skenën, e kanë cilësuar si një aktore që i ka dhënë siguri e stabilitet partnerit, me një gjindshmëri dhe orientim që edhe profesionistet me përvojë të gjatë vështirë se mund ta ofronin në nivelet e saj.
Sipas aktorit Ruzhdi Mehmeti, Xhevahireja ishte një aktore unikale sa i përket mbajtjes së ritmit të shfaqjes dhe me aftësi të shkëlqyer për ta kthyer e rikthyer shfaqjen në binarët e funksionimit normal ndaj për te kanë mjaftuar pak sekonda dhe ajo ka arritur ta sjell normalitetin si për publikun por edhe për trupën e aktorëve. Ankthi më i madh ne rastet kur shfaqja fillon e rrëshqet nga rrjedha normale është tek aktorët që janë prapa kuintave të cilët përballen me siklete të mëdha për shkak të dëmit kolektiv që shkakton dhe në këto raste aktori i cili ndodhet në skenë e ka për detyrë të rikuperoje aty për aty këtë lloj dëmi apo lëshimi, gjë të cilën Xhevahireja ka ditur ta bëjë jashtëzakonisht mirë.
Tutje, Mehmeti shton se në shfaqjen Glembajet, ajo kishte arritur të realizojë rolin e zonjës Lembah në mënyrë pothuajse të përsosur dhe gjithçka ishte falë natyrshmërisë dhe gjindshmërisë që e kishte në skenë duke e realizuar rolin në mënyrën më brilante të mundshme.
Xhevahireja ka qenë një aktore mendje hapur, impulsive, dhe e talentuar deri në kufijtë e gjenialitetit.
Me te gjithë bashkëkohësit e bashkëpunëtorët që kam biseduar lidhur me Xhevahiren të gjithë pa përjashtim thonë se ajo ka qenë një kolege e shkëlqyeshme, person pa komplekse, respektivisht tip personi hiper-dinamik që ka reflektuar gjallëri dhe motivim për të tjerët.
Këtë lloj energjie, e ndjera e ka transmetuar jo vetëm publikut në skenë por edhe tek ekipi apo kolegët me të cilët ka punuar dhe në njëfarë forme ka injektuar virusin për me shumë punë, me shumë realizim, më shumë art. Kur jemi te shumësia duhet të kemi parasysh se ajo përveç se ishte një nga aktoret më aktive në repertoarin e kohës ajo me të njëjtin ritëm e impulsivitet ndiqte edhe aktivitetet me ansamblin e valleve me të cilët edhe përfaqësonte Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Mikesha dhe kolegia me e dashur e saj, aktorja Mejreme Berisha e përshkruan Xhevahiren si një nga divat e skenës e cila po të mos shuhej do të i kishte dhënë botës së artit dhe teatrit të qytetit një vend më të lartë dhe me meritor edhe në arenën ndërkombëtare. Jo pse ka qenë mikesha ime me e dashur por ajo ka qenë një muzë e vërtetë e cila ka shfaqur shkëndija të bashkë-trajtimit te artit skenik me mjuzikell-in të cilën vetëm ajo e ndjente me shpirt si lundruesja e vetme e kohës që synonte të shpaloste artin e matanë oqeanit që ne e shikonim përmes TV-se. Me mendësi, vizion dhe zgjuarsi ajo i lexonte fare qartë dhe i dallonte rrymat e zhvillimet artistike të kohës dhe kishte guximin për të shpresuar te arrinte aty ku pak njerëz ëndërronin.
Edhe sot e asaj dite Mejreme Berisha e kujton me trishtim ditën kur mori lajmin për vdekjen e saj: “me regjisorin Fadil Hysaj po vinim në skenë shfaqjen “Bregu i pikëllimit” dhe si zakonisht filluan të pikonin një nga një aktoret e shfaqjes për mbajtjen e provave në teatër. Sikur te gjithë pa shkas pritnim edhe Xhevahiren të vinte dhe të hynim te salla e vogël, por aty para godinës së teatrit morëm lajmin e kobshëm për largimin e saj nga kjo botë”. Me shumë dhimbje e mallëngjim aktorja Berisha shprehet se “ humbja ishte e madhe, mua dhe gjithë kolegeve na u krijua një zbrastesire që nuk do kompensohej kurrë. Mejremja pohon se i është dashtë kohë e gjatë, te bind veten se Xhevahireja nuk ishte në mesin tonë. Largimi i beftë i Xhevahires ishte një humbje e madhe për teatrin e qytetit. Kujtimet e atyre që e kanë njohur nga afër vërtetojnë se ajo ishte një artiste e përmasave jo të zakonshme dhe për aq shkurt kohë sa shërbeu në teatër, la gjurmë të pashlyera tek kolegët të cilët vazhduan të përmbushin amanetin e saj.
Padyshim qe Xhevahireja do të kujtohet si një nga artistet me premtuese të kohës e cila për aq sa jetoi, i dhuroi skenës freski duke u bërë një nga kontribut-dhënëset më të spikatura të kohës me të cilën teatri si institucion njohu vetëm ngritje cilësore dhe avancim të shpejtë në rrugëtimin profesional. /2LONLINE/
