Ditëlindja e Nuhi Berishës nuk është vetëm një përvjetor – është kujtesë e rezistencës shqiptare
Shkruan: Bekim Selishta
Ditëlindja e Nuhi Berishës nuk është vetëm një përvjetor, është kujtesë e rezistencës shqiptare.
Është kujtesë se si gjeneratat e reja shqiptare, përballë regjimeve të ndryshme represive, arritën t’i rezistojnë dhunës, persekutimit dhe përpjekjeve të vazhdueshme për ta nënshtruar popullin shqiptar.
Nuhiu dhe Rexhapi dhe shokët e tij nuk u nënshtruan. Ata zgjodhën rezistencën dhe sakrificën përballë një regjimi që për vite të tëra ushtroi dhunë dhe represion mbi shqiptarët.
Por për ta kuptuar plotësisht këtë histori, duhet t’i dëgjojmë edhe dëshmitë e brezit që e përjetoi atë dhunë nga afër – duke filluar nga Baca Rexhep, i njohur si “Plaku i Mirë”, dhe shumë familje e veprimtarë të tjerë që u përndoqën, u burgosën dhe u persekutuan për vite të tëra.
Persekutimi i familjeve të veprimtarëve nuk filloi me rënien e Nuhiut dhe shokëve të tij, e as nuk përfundoi atëherë. Ai vazhdoi në forma të ndryshme deri në ditët e lirisë së sjellë nga UÇK-ja.
Prandaj, për këto vite të dhunës, vrasjeve, burgosjeve dhe përndjekjeve duhet të flasim. Duhet t’i pyesim ata që e përjetuan këtë histori se çfarë përjetuan dhe si mbijetuan familjet shqiptare nën një sistem represiv.
Dhe pyetja mbetet e dhimbshme: pse për kaq shumë vrasje dhe dhunë ndaj shqiptarëve nuk pati drejtësi? Në shumë raste, ata që ishin pjesë e aparatit represiv nuk u ndëshkuan, por vazhduan karrierën dhe madje u graduan.
Kujtimi për Nuhi Berishën, pra, nuk duhet të jetë vetëm ceremonial. Ai duhet të jetë thirrje për drejtësi, kujtesë historike dhe respekt për familjet e heronjve dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë.
Familjet e heronjve nuk duhet vetëm të kujtohen në përvjetorë – ato duhet të nderohen dhe të vlerësohen gjatë gjithë kohës.
Sepse historia nuk duhet vetëm të shkruhet; ajo duhet të kujtohet dhe t’u mësohet brezave.
Nëse harrojmë sakrificën e tyre, rrezikojmë të harrojmë edhe mësimin e historisë. Dhe historia mund të përsëritet. /2LONLINE/
