Ditëlindja e Agim Ramadanit simbolizon lirinë dhe shtetin e Kosovës

Ditëlindja e Agim Ramadanit simbolizon lirinë dhe shtetin e Kosovës

Në vazhdën e aktiviteteve të manifestimit tradicional, “Ditët e Agimit”, sot, u shënua Ditëlindja e Heroit, Agim Ramadani dhe Dita e Shkollës “Agim Ramadani”, në Zhegër.

Nazim Gagica, drejtor i Drejtorisë Komunale për Arsim në Gjilan, pasi i ka përshëndetur dhe uruar pjesëmarresit në këtë ngjarje në emër të kësaj Drejtorie dhe kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha: “ Dita e Shollës, respektivisht Ditëlindja e të Madhit, Agim Ramadani, simbolizon lirinë dhe shtetin e Republikës së Kosovës. Po punojmë në rritjen e cilësisë në arsim, për t’i bërë nder atij”.

Ai tha se prioritet i prioriteteve në arsim është dhe do të mbetet arrijtja e cilësisë në arsim.

“Ditëlindja e Agim Ramadanit, njëherit edhe Dita e Shkollës “Agim Ramadani”, në Zhegër, janë të shënuara dhe si të tilla na bëjnë që të mburremi dhe krenohemi këtë ditë kur jetojmë në liri dhe kujtojmë e nderojmë heronjt, dëshmorët dhe martirët e kombit. Në Ditëlindjen e komandantit legjendar të luftës së lavdishme të UÇK-së, Agim Ramadani, kujtojmë lavdinë e kësaj lufte, sakrificën e vajzave dhe djemëve më të mire që kishte atdheu ynë, në ditët më të vështira. Kujtojmë lavdinë me të cilën u linden, u rriten duke rënë në altarin e lirisë për të mps vdekurr kurrë”, tha Rrahman Agushi drejtor i kësaj shkolle.

Ai foli edhe për historikun dhe të arriturat e kësaj shkolle.

“Shkolla jonë daton që nga viti 1923. Deri në vitin 1945-1946, nuk mësohej në gjuhën shqipe. Mësues i parë që filloi për t’i mësuar në gjuhën shqipe nxënësit e kësaj shkolle ishte Abdullah Hyseni nga fshati Llashticë. Nga gjiu i saj dolën shumë kuadro të profileve të ndryshme, si: mësues, profesorë, shkrimtarë, mjekë, ingjinjerë, tituj shkencor, si: magjistra e doktor shkencash, ushtarak, etj.

Sipas tij, SHFMU “Agim Ramadani” në Zhegër me paralelet e ndara: Lladovë, Nasalë, Haxhaj dhe Selishtë, aktualisht numëron 645 nxënës, me 52 paralele dhe 85 punëtorë. Sukseset nuk mungojnë, sepse punohet në kushte të përshtatshme për mësimdhënje nga një staf profesional.

Ai permendi edhe emra nxënësish të kësaj shkolle të cilët kanë arritur rezultate të lakmueshme në gara komunale e republikane në lëmi të ndryshme.

Ndërkaq, bashkëshortja e heroit, Agim Ramadanit, Shukrije Ramadani uroi që nxënënësit e kësaj shkolle t’a gëzojnë lirinë dhe të arrijnë suksese të mëdha.

Ajo ka shprehur shqetësimin për mungesën e objektit të ri për shkollim të mesëm në Zhegër, duke kërkuar nga drejtori i Arsimit për të bërë gjithëçka të mundshme, që të mos mbyllen paralelet fizike të shkollave të mesme në Zhegër.

Kurse, nxënësit e kësaj shkolle, para pjesëmarrësve në ngjarje, kanë shpërfaqur një program të begatshëm, nderues e festiv për Heroin e Kombit, Agim Ramadani, që është karakterizuar me poezi, këngë dhe valle.

KOMENTE