/Ditë e Përgjakur – Zhegër, E Martë, 30 Mars 1999/
Më 29 mars 1999 edhe në fshatin Zhegër erdhën të tërbuar ushtarë e paramilitarë serbë. Ishte pasdite, kur ata u vendosen në ish fabrikën e Radiatorëve. Aty filluan të bërtitnin, duke thirrë edhe emrat si “Arkan”, “Millosh”, e të tjerë.
Nga: Shaqir Ukshini
Jetoja me prindërit, Ukshinin dhe Miradijen, vëllanë Musliun, gruan Bukurinë, vajzat Dhuratën, Fjollën dhe djalin Dhurimin. Ishim afër. Vetëm 150-200 metra në afërsi vendit ku ata ishin vendosur. Edhe ashtu isha i angazhuar për t’i vëzhguar lëvizjet dhe veprimet e tyre.
Në mbrëmje diku kah ora 08:00, ata dolën në qendër të fshatit dhe filluan t’i grumbullonin serbët e fshatit. Shihej se fillonin përgatitjet për diçka të keqe, diçka të rëndë, që mund të na priste ditën e nesërme, për ndonjë masakër, gjë që bënte të ishte ky një moment shumë i frikshëm.
Në atë mbrëmje, të kobshme, me kërkesë të babait tim, ne u shpërndamë në tri shtëpi. Unë me familjen e ngushtë shkuam në një pjesë të fshatit afër malit, ku kisha mundësi të komunikonim me njerëzit (pjesë e UÇK-së), me të cilët isha i thirrur të komunikonim. Prindërit dhe vëllai shkuan në shtëpinë e vëllait tjetër (jetonte në Zvicër), në një pjesë tjetër të fshatit por lamë takim që të nesërmen, në ora 10:00, të takohemi prapë te shtëpia.
Të nesërmen në mëngjes babai qohet dhe shkon te shtëpia ku jetonim, por aty e presin paramilitarët që kishin thyer dhe demoluar gjithçka dhe kërkonin anëtarët tjerë të familjes – djemtë. Pas një ore, te shtëpia shkon edhe vëllai Musliu me nënën Miradije, por ku fatkeqësisht, në dhomën e ndejës, e gjejnë babanë Ukshin, të ekzekutuar.
Nga shqetësimi se edhe unë do të shkoja në orën 10:00, ashtu siç e kishim lënë, te shtëpia, Musliu i thotë nënës, të qëndron aty sepse ai do të vije të më njofton mua (Shaqirin), për të më treguar se çfarë ka ndodhur dhe që të mos shkoja njëherë aty. Vëllai kishte marrë rrugët dytësoret të fshatit për të ardhur te unë që të më njofton për këtë, pastaj merr makinën time dhe kthehet prapë te shtëpia, por që nëna nuk ishtem ë aty dhe nuk mundi ta gjente.
Atëherë unë shkova fillimisht në fshatin Nasalë, ku mora një makinë të një kushëriri dhe duke përzgjedhur rrugët nëpër fshatrat Lladovë- Lashticë –Zhegër, u ktheva në shtëpi. Nga aty morëm kufomën babait, ndërkohë që nuk mund ta gjenin akoma nënën.
Pasi morëm trupin e pajetë të babait, e varrosëm në fshatin e tij të lindjes në Nasalë. Ndërsa, brengë e jona mbetej akoma ku ishte nëna. Pas dy ditësh , me ndihmën e një fqinji, e gjetëm edhe nënën e vrarë. Kufoma e saj ishte në oborrin e një fqinji tjetër. Edhe nënën e kemi varrosur në Nasalë.
Kështu mëngjesi i 30 marsit, ishte ditë e përgjakur për ne që humbën prindërit por, e tillë ishte edhe për shumë të tjerë në Zhegër pasi ushtarë e paramilitarët serbo-çetnik kishin vrarë civilë të shumtë, që nga prindërit tanë Ukshin Ukshini e Miradije Ukshini, pastaj edhe Fitim Isufin, Shyqeri Tahirin, Milazim Idrizin, Qazim Idrizin dhe Qazime Idrizin, por pati edhe fshatarë të tjerë që ishin të plagosur gjatë kësaj dite, por edhe ditëve në vazhdim.
Tani, ajo çfarë kërkojë është të iu bëjë apel politikanëve tanë që falin shumë lehtë tokë të përgjakur të Kosovës dhe kërkojnë pajtim me Serbinë, të na kenë në konsideratë neve që humbëm më të dashurit tanë!