DYLON

Dita e ndeshjes – për të shkruar një kapitull të ri të historisë së klubit!

Dita e ndeshjes – për të shkruar një kapitull të ri të historisë së klubit!
Avatar photo Redaksia

FC Drita, do të zbresë sot në fushën e blertë në stadiumin “Tammela Stadion” – Tampere, për ta kërkuar suksesin e parë në fazën e Grupeve në UEFA Conference League, duke u ballafaquar me skuadrën finlandeze, KuPS Kuopio, ndeshje kjo që luhet në ora 18 e 45.

FC Drita, pasi kreu ditën e mërkurë stërvitjen e fundit para ballafaqimit me KuPS, sot po e pret ky ballafaqim, që skuadra “bardhë e kaltër” e vlerëson si një ndeshje të madhe, një mundësi e mirë për të shkruar një kapitull të ri në historinë e klubit.

EkoHigjiena

Drejtuesit e klubit, trajnerët por edhe lojtarët ndjehen tani më të familjarizuar me lojërat në garat evropiane, ku luhet futboll cilësor dhe i fortë, e ku edhe rezultati pozitiv peshon.

Drita deri në fazën e grupeve ka ardhur falë një angazhimi të jashtëzakonshëm, por që natyrisht është bërë me shumë mund, por kjo pritet të përkthehet në motiv për lojtarët në fushë, për ta dhënë maksimumin për një rezultat pozitiv.

Zekrija Ramadani, kryetrajner i Dritës, e ka ripërsëritur edhe njëherë, deklaratën e tij të njohur se, në çdo ndeshje, në cilin do nivel garimi, ai e kërkon fitoren, prandaj, kjo le të kuptohet se edhe ndaj skuadrës finlandeze, synimi mbetet i njëjtë.

Për këtë timonier të klubit, arritja e Dritës deri në këtë fazë është një sukses historik, por sipas tij, aspekti moral e profesional kërkon që të jenë kërkues edhe për suksese tjera për të cilat do të angazhohen në maksimum, andaj nuk ka vend për vetkënaqësi, por për mund të radhës për suksese të mëtutjeshme.

Drita sot kërkon fitore, për ta nisur mbarë fazën e grupeve dhe për këtë shihet se janë entuziastë dhe të motivuar edhe futbollistët e skuadrës “bardhë e kaltër”, të cilët pritët të performojnë asisoji për të mos pas alternativë tjetër fitorja e Dritës. /2LONLINE/