DYLON

Dita e Evropës e gjen Kosovën jo vetëm pa statusin e kandidatit, por edhe pa liberalizim të vizave

Dita e Evropës e gjen Kosovën jo vetëm pa statusin e kandidatit, por edhe pa liberalizim të vizave
Avatar photo Redaksia

Sot është Dita e Evropës, ditë kjo që ka hyrë në kalendarin e festave të shtetit të Kosovës qysh nga shpallja e pavarësisë.  E, Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, ka thënë se Dita e Evropës e gjen Kosovën jo vetëm pa statusin e kandidatit, por edhe pa liberalizim të vizave, e ndërsa qytetarët e saj në një getoizim të pashembullt.

“Përveçse diskriminim dhe padrejtësi e madhe, kufizimi i lirisë së lëvizjes është edhe shmangie nga parimet e një Evrope pa kufij”, ka shkruar Konjufca në profilin e tij.

EkoHigjiena

Postimi i plotë:

Evropa është familja jonë e natyrshme dhe e ardhmja jonë.

Sot është Dita e Evropës, ditë kjo që ka hyrë në kalendarin e festave të shtetit tonë qysh nga shpallja e pavarësisë.

Zyrtarizimi dhe shënimi i kësaj dite, të cilën Evropa e shënon prej 9 majit të vitit 1950 në kujtim të nismës së projektit të integrimit evropian, ishte përqafim i vlerave demokratike dhe dëshmi e qartë e orientimit të palëkundur të Kosovës drejt familjes evropiane, së cilës i takon edhe gjeografikisht.

Për më tepër, Kosova dhe qytetarët e saj kanë bashkëjetuar dhe vazhdojnë të bashkëjetojnë prej pas çlirimit dhe pavarësimit me ëndrrën për t’u përbashkuar me popujt e kontinentit tonë nën kulmin e Bashkimit Evropian.

Por, edhe pas kaq vjetësh, Bashkimi Evropian është treguar i vonuar në proceset e integrimit të Kosovës brenda familjes evropiane dhe kjo ëndërr gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një zhgënjim kolektiv për qytetarët e shtetit tonë.

Sepse Dita e Evropës e gjenë Kosovën jo vetëm pa statusin e kandidatit, por edhe pa liberalizim të vizave, e ndërsa qytetarët e saj në një getoizim të pashembullt. Përveçse diskriminim dhe padrejtësi e madhe, kufizimi i lirisë së lëvizjes është edhe shmangie nga parimet e një Evrope pa kufij.

Qytetarët e Kosovës, edhepse të shpërfillur, vazhdojnë të besojnë fort në politikat integruese evropiane dhe të shpresojnë që, në një të ardhme të afërt, Evropa do t’ua hapë dyert, siç i hapi për shumë shtete e popuj.

Ndërsa institucionet tona do të punojnë edhe më me përkushtim e vendosmëri, ndershmëri e përgjegjësi drejt përmbushjes së të gjitha kritereve për realizimin e ëndrrës sonë të kahmotshme – integrimin e plotë të Republikës së Kosovës në shtëpinë e përbashkët evropiane.

Pa Kosovën mozaiku i familjes së bashkuar evropiane nuk mund të quhet i plotësuar, sikundër as vetë ideja mbi të cilën qëndrojnë themelet e Bashkimit Evropian. /2LONLINE.com/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.