DYLON

Diskutuan për mundësitë për të zhvilluar projekte të përbashkëta

Diskutuan për mundësitë për të zhvilluar projekte të përbashkëta
Avatar photo Redaksia

Drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjilanit, Enver Shabani, ka pritur në takim një delegacion nga Qeveria e Danimarkës-Ministria e Drejtësisë, zëvendësdrejtorin e Burgut të Gjilanit  Fidan Hasani, Presidentin e Këshillit të Bizneseve të Rajonit të Anamoravës (GRBC) Arsim Vranovci si dhe përfaqësuesin nga Ministria e Drejtësisë në Prishtinë.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi mundësitë për të zhvilluar projekte të përbashkëta që do të mundësonin përmirësimin e kushteve për të burgosurit, si dhe përfshirjen e tyre në aktivitete që do të ndihmonin në rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri pas përfundimit të dënimit.

EkoHigjiena

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte krijimi i mundësive për aftësim profesional dhe përgatitje për tregun e punës, duke i dhënë të burgosurve mundësi më të mëdha për punësim dhe pavarësi ekonomike në të ardhmen.

Presidenti i Këshillit të Bizneseve në Rajonin e Anamoravës, Arsim Vranovci, theksoi rolin e sektorit privat në këtë proces dhe mundësitë që bizneset lokale mund të ofrojnë për trajnimin dhe punësimin e personave që kanë kaluar nëpër sistemin korrektues.

Ai propozoi që të krijohet një bashkëpunim ndërmjet institucioneve lokale, bizneseve dhe organizatave ndërkombëtare për të mbështetur këto iniciativa.

Përfaqësuesit danez ndanë përvojat e tyre lidhur me praktikat më të mira të vendeve të ndryshme në trajtimin e të burgosurve dhe rëndësinë e mbështetjes së tyre përmes programeve të zhvillimit ekonomik.

Ata shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet lokale në Gjilan për të gjetur mënyra efektive të implementimit të këtyre praktikave edhe në nivel lokal.

Nga ana tjetër, Drejtori Shabani theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare në avancimin e politikave zhvillimore dhe në përfshirjen e kategorive të ndryshme të shoqërisë në proceset ekonomike.

Ai potencoi se Komuna e Gjilanit është e hapur për të bashkëpunuar në projekte që do të kontribuonin në zhvillimin ekonomik dhe në rritjen e mundësive për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata që po kalojnë faza rehabilitimi.

Në fund të takimit, të dyja palët u pajtuan që të vazhdojnë komunikimin dhe të eksplorojnë më tej mundësitë për implementimin e projekteve konkrete në këtë fushë. /2LONLINE/