/2L ONLINE/ – Sekretariati i Gruas Aktiviste në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, organizoi një takim me gratë aktiviste si dhe qytetare tjera të Gjilanit, me të cilat u diskutua për rrolin e gruas në shoqëri dhe politikë.
Koordinatorja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste, Arjeta Rexhepi, e cila është edhe këshilltare komunale tha se gratë kanë vullnet dhe kapacitete intelektuale e profesionale për të kontribuar për të mirën e vendit. “Nuk mjafton që të merremi vetëm me konstatime se gjendjen nuk e kemi mirë por është shumë e nevojshme që në vazhdimësi të punojmë për përmirësimin e gjendjes në vendin tonë”, tha ajo.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Dr. Besa Baftiu, foli për kontributin e grave deputete dhe angazhimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo te kritikoi ekzekutivin e vendit për politikën diskriminuese karshi pozitës së gruas në vendimmarrje.
Edhe këshilltarja tjetër në Kuvendin Komunal, Krenare Latifi-Kqiku, foli për pozitën e gruas në Kuvendin Komunal të Gjilanit dhe rolin e gruas në Lëvizjen Vetëvendosje. Ajo tha se përkundër avancimit të pozitës së gruas në shoqëri, gratë mund të japin shumë më shumë për të mirën e vendit sepse vendi ka nevojë për angazhim më të madh të gruas, e kjo duhet të përkrahet nga burrat. Ajo tha se gratë e Gjilanit nuk e meritojnë të jenë të përjashtuara nga ekzekutivi i Komunës, sicc janë aktualisht.
Në vazhdim u zhvillua debat mes të pranishmëve, ku gratë u shprehen të gatshme për angazhim më të madh për zhvillimin e vendit dhe konkluduan se ato kanë kapacitete të mjaftueshme njerëzore e intelektuale për t’i shtyrë proceset përpara. /2L ONLINE/