Diskutojnë për mundësitë e bashkëpunimit në aktivitete që lidhen me mbrojtjen civile, menaxhimin e emergjencave dhe ngritjen e vetëdijes qytetare
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në Komunën e Gjilanit, Enver Shabani priti në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Pensionistëve të TMK/FSK dhe Simpatizantëve “ELITA”, ku u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në aktivitete që lidhen me mbrojtjen civile, menaxhimin e emergjencave dhe ngritjen e vetëdijes qytetare.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e shoqatës prezantuan misionin dhe aktivitetet e tyre, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të ish-pjesëtarëve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në shërbim të komunitetit, përmes ruajtjes së vlerave kombëtare, promovimit të kulturës së sigurisë dhe pjesëmarrjes në iniciativa me interes publik.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Enver Shabani vlerësoi lart kontributin dhe përvojën e ish-pjesëtarëve të TMK-së dhe FSK-së, duke theksuar se bashkëpunimi me organizata të tilla është i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve lokale në fushën e mbrojtjes dhe shpëtimit.
Në fund të takimit, të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin përmes organizimit të aktiviteteve të përbashkëta, trajnimeve, fushatave ndërgjegjësuese dhe nismave që kontribuojnë në sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve të Komunës së Gjilanit. /2LONLINE/
