Diskutojnë për mbështetjen e Klubit të Shahut në Kamenicë

Diskutojnë për mbështetjen e Klubit të Shahut në Kamenicë

Kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati së bashku me Drejtorin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport Arianit Ibrahimi, janë takuar me Kryetarin e Federatës së Shahut Nysret Avdiu dhe Sekretarin e Federatës së Shahut Burhan Misimi.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe Kryetari i Klubit të Shahut në Kamenicë Qamil Fetiu, Agim Abdullahu, përgjegjës i sportit nga DKRS, Ajshe Thaqi zyrtare e sportit nga DKRS, si dhe Shahat Rudhani përgjegjës i sportit nga DKRS.

Gjatë takimit është diskutuar për përkrahjen e Klubit të Shahut në Kamenicë, në mënyrë që kjo lojë të tërheq të rinjtë.

Kryetari Kastrati theksoi se do të ishte e duhur që kjo lojë të hyjë edhe në shkolla gjatë orëve jo formale.

“Qëllimi ynë është që kjo lojë të praktikohet në shkolla gjatë orëve jo formale, ku fëmijët mund të relaksohen duke dëgjuar ligjëruesit apo trajnuesit se si duhet luajtur. Është një lojë e cila e rrit mjaft shumë intelegjencën e fëmijëve. Ne do të mundohemi t’ua plotësojmë kërkesat Klubit të Shahut në komunën tonë që të shohim për të ardhmen organizimin e ndonjë gare regjionale”, tha ai.

Kryetari i Federatës së Shahut Nysret Avdiu, gjatë takimit theksoi se do ta ndihmojnë Klubin me aq sa kanë mundësi, duke shtuar se lidhur me ligjërimin në shkolla gjatë orëve jo formale janë të gatshëm t’iu dërgojnë trajnues nga Federata gjatë një dite për ata që duan të ligjërojnë.

Në anën tjetër kryetari i Shahut në Kamenicë Qamil Fetiu, tha se shpresojnë që kërkesat tyre për gjetjen e një hapsire, për caktimin e një dite kalendarike për lojë të shahut si dhe për ndihmesë financiare, do të përkrahen nga Komuna e Kamenicës.

KOMENTE