Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Administrata Tatimore e Kosovës diskutojnë me institucionet tjera ligjzbatuese për bashkëveprimin në shkëmbim të informatave për platformën për hetime penale mbi të dhënat inteligjente.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, përkatësisht U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi, së bashku me Drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, mbështetur nga Zyra e UNDP në Kosovë, përmes Projektit SAEK III, kanë mbajtur takimin e radhës me akterët institucional të zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës, ku kanë diskutuar për bashkëveprimin në shkëmbimin e informatave për platformën për hetime penale mbi të dhënat inteligjente, si dhe mundësinë e hartimit dhe nënshkrimit të një Marrëveshje Mirëkuptimi ndër-institucionale në të ardhmen, me qëllim të mbledhjes dhe shkëmbimit të të dhënave të cilat do të jenë në shërbim të kësaj platforme.
Përveç diskutimeve të bartësve të institucioneve lidhur me aktivitetet bashkëvepruese, përkatësisht materializimin e kësaj platforme, edhe zyrtarët përgjegjës të institucioneve përkatëse të sektorit të Teknologjisë Informative kanë bërë prezantimin e llojit të të dhënave që prodhon apo përpunon institucioni, formatin dhe hostimin, si dhe mundësitë teknologjike të shkëmbimit të këtyre të dhënave nga secili institucion.
Platforma elektronike për hetime penale mbi të dhënat inteligjente mundëson shkëmbim e informatave që gjenden në databazat e institucioneve zbatuese të ligjit, në mënyrë që të përshpejtohen procedurat hetimore për subjektet në rastet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimit financiar, që do të mundësonte luftimin efikas dhe efektiv të veprave penale, e cila platformë derivon nga marrëveshja bazë ndërmjet Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Kjo platformë elektronike ka për synim ndikimin pozitiv në zvogëlimin e nivelit të korrupsionit në Kosovë, duke forcuar mekanizmat e monitorimit dhe mbikëqyrjes së institucioneve për të kryer funksionin e tyre në mënyrë efikase, transparente dhe të përgjegjshme.
Në këtë takim, përveç ZKPSH-së dhe ATK-së si bartës të këtij aktiviteti, kanë marrë pjesë udhëheqës të institucioneve publike nga: Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Ministria e Drejtësisë, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Dogana e Kosovës, Njësiti i Inteligjencës Financiare, Agjencia e Regjistrimit Civil, Agjencia për Informim dhe Privatësi dhe Departamenti i Tatimit në Pronë në kuadër të Ministrisë së Financave. /2LONLINE/