DYLON

Diskutohet për propozim rregulloren për mënyrat, procedurat dhe kushtet e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Në organizimin e Zyrës për Informim Publik dhe Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut në Viti sot është mbajtur diskutimi publik lidhur me propozim rregulloren për mënyrat procedurat dhe kushtet e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset e vendimmarrjes. Në këtë takim të pranishmit janë njohur rreth rregullores në fjalë ku patën mundësi të japin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.

Ibadete Hyseni, nga Njësia Komunale për të Drejtat e Njeriut në Viti gjatë këtij diskutimi publik ka folur rreth propozim rregullores në fjalë e cila është hartuar nga kjo njësi.

EkoHigjiena

”Kemi parë të nëvojëshme që të hartojmë propozim rregulloren për mënyrat procedurat dhe kushtet e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset e vendimmarrjes, e cila u hartua me qëllim të shtytjes dhe pjesëmarrjes sa më aktive të qytetarëve në vendimmarrje.” u shpreh Hyseni.

Ajo ndër tjerash theksoi se me këtë dokument përfshihen edhe dispozitat e përgjithshme ku përcaktohet përgjegjësia e organeve të Komunës, Kuvendit dhe trupave ndihmëse të tij,

Format e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset e vendimmarrjes si mbledhjet e rregullta me qytetarë. Poashtu me këtë propozim rregullore përcaktohen edhe mënyrat e pjesëmarrjes të qytetarëve në proceset e vendimmarrjes si: Diskutimet publike, diskutimet publike profesionale, deklarimet paraprake, referendumi, organizimi i punëtorive, peticioni, dhënia e propozimeve, vërejtjeve dhe sugjerimeve në formë të shkruar, iniciativa e qytetarëve, përcaktimi i nevojave të qytetarëve, anketimi, Transparenca, obligimet e Komunës, propozimi i prioriteteve dhe akteve tjera, informimi i qytetarëve etj.

Ndërkaq Mustafë Mehmeti nga Zyra për Informim Publik tha se kjo propozim rregullore është proceduar paraprakisht në Kuvendin Komunal të Vitisë ku ka marrë aprovimin që sot të del në diskutim publik, ai ndër tjerash tha se Komuna e Vitisë ka shpërndarë njoftimet publike në lokalitetet e kësaj komune por edhe në uebfaqën zyrtare dhe rrjetet sociale me qëllim që qytetarët të kenë mundësinë që sot të jenë pjesë e këtij diskutimi por edhe të njihen me këtë propozim rregullore të rëndësishëm që qytetarët të jenë pjesë aktive e proceseve të vendimmarrjes.

Përndryshe përpos disa qytetarëve në takim kanë marrë pjesë edhe disa përfaqësues të organizatave jo qeveritare që veprojnë në Viti e të cilët nuk patën vërejtje konkrete lidhur me propozim rregulloren në fjalë. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Naim Pira si dhe zv.Kryetari i Komunës, Hasan Aliu. /2L ONLINE/