(2LONLINE) – Nën organizim të Institutit GAP, në Gjilan u mbajt debat lidhur me të gjeturat e raportit të GAP dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) për praktikat e buxhetimit, diskutimet publike, llogaridhënien buxhetore dhe transparencën.
Fisnik Korenica (GLPS) prezantoi analizën e GAP dhe GLPS për praktikat e buxhetimit në Komunën e Gjilanit. Në bazë të të gjeturave të prezantuara në këtë raport analitik, Komuna e Gjilanit përballet me probleme të mëdha të menaxhimit financiar, sidomos borxhi i lartë komunal. Po ashtu, edhe pse janë mbajtur debate për hartimin e buxhetit, në bazë të intervistave del se qytetarët dhe partitë opozitare ndjehen të përjashtuar nga procesi i buxhetimit. Transparenca buxhetore në Komunën e Gjilanit nuk është në nivelin e kënaqshëm.
Berat Thaçi (GAP) informoi të pranishmit me platformën e GAP “Si i Shpenzon Shteti Paret Tona?” në të cilën janë paraqitur shpenzimet buxhetore për secilën komunë, që nga viti 2010. Platforma e GAP për shpenzimet buxhetore tani më është ndërlidhur edhe me uebfaqet e 20 komunave. Komuna e Gjilanit ka qenë një ndër komunat e para të cilat kanë ndërlidhur platformën e GAP për shpenzimet buxhetore me uebfaqen zyrtare të Komunës së Gjilanit.
Në debat kontribuan edhe zyrtarët kryesor financiar të Komunës së Gjilanit, Kamenicës, Vitisë dhe Novobërdës. Një nga problemet më të mëdha të cilat u cekën sa i përket granteve qeveritare për komuna ishte granti qeveritar për arsim. Sipas z.Avni Limani, zyrtar financiar në Komunën e Gjilanit, komunat e rajonit të Gjilanit janë të diskriminuara me grantin për arsim, ngase formula e Qeverisë e cila ndan grantin për arsim duke u bazuar në numrin e nxënësve, po ndikon që për shumë fshatra të zonave malore, mos të ketë buxhet të mjaftueshëm për mbajtjen e mësimit. Andaj u kërkua që për këto komuna të ndahet granti qeveritar në bazë të normës së mësimit, me qëllim që të ketë buxhet të mjaftueshëm për të mbajtur hapur shkollat në zonat malore.
Debatet për praktikat e buxhetimit dhe transparencës buxhetore do të mbahen ditëve në vijim edhe në Komunën e Gjakovës, Pejës, Ferizajt dhe Podujevës./2lonline/