Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës në bashkëpunim me Njësinë Komunale për të Drejtat e Njeriut kanë mbajtur takim me temen “Ndërtimi i një qasjeje të ndjeshme gjinore në identifikimin, referimin dhe trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.
Në këtë takim të pranishëm ishin Drejtoresha Ekzekutive e QKRMT-së, Dr.Feride Rushiti, Koordinatorja e NJKDNJ-së, Nazmije Demolli-Kastrati, Menaxherja e Projektit Florida Gashi, Nebahate Zeka Psikologe në këtë qendër, Drejtoresha të Drejtorive Komunale, përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale në Kamenicë, zyrtarë komunal, përfaqësues të OJQ-ve, dhe të tjerë.
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, në këtë takim tha se dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë është një prej plagëve më të mëdha, që vazhdon të rëndoj të mbijetuarit edhe sot e kësaj dite.
“Trauma e dhunës seksuale gjatë luftës nuk është e kufizuar vetëm tek të mbijetuarit, por ajo ndikon familjet dhe komunitetet e tyre si dhe përcillet brez pas brezi. Në Komunën e Kamenicës deri më tani i kemi të identifikuar 10 raste viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Mund të ketë edhe viktima tjera e të cilat e kanë problem të flasin sepse stigmatizohen, paragjykohen nga të tjerët, sidomos kur dhuna është ushtruar në prezencë të familjes dhe e kanë problem të kërkojnë ndihmë”, ka thënë ajo duke shtuar se jane duke lobuar’tiu ofrojnë shërbime shëndetsore falas, tani që do të hyj në Kuvend Ligji për Shërbime Mjekësore.
“Poashtu sot kemi organizuar këtë takim për mundësitë e bashkëpunimit që të arrijmë t’i identifikojmë nëse ka raste tjera në komunën tuaj, dhe t’i shtyjmë të flasim”, është shprehur ajo.
Ndër të tjera Drejtoresha Rushiti ka përmendur edhe shërbimet që ofron QKRMT.
“Qendra ofron shërbime të rehabilitimit për të mbijetuarit e traumës, sidomos ata/ato të dhunës seksuale gjatë luftës. Shërbimet tona gjithmonë në rritje përfshijnë: rehabilitimin psikologjik, terapi individuale dhe grupore, terapi sistemike familjare, terapi të artit me qeramikë, rehabilitim fizik-shërbime mjekësore që trajtojnë simptomat fizike të traumës, rehabilitim social-ndihmë me riintegrim në komunitet, shërbimet psikosociale për grupet e cenueshme, referime të dokumentimit konfidenciale dhe monitorim të rasteve të ndihmuar, mbështetje psikosociale për të mbijetuarit sipas nevojës jashtë seancave të terapisë”, është shprehur ajo.
Në anën tjetër Koordinatorja e NJKDNJ-së, Nazmije Demolli-Kastrati, duke falënderuar Drejtoreshën e QKRMT-së dhe përfaqësuesit e tjerë, tha se ka bashkëpunime me të gjitha institucionet komunale dhe se do të lobojnë edhe në këtë aspekt.
“Njësia është pjesëmarrëse në çdo takim ku bëhet fjalë për mbrojtje të viktimave qoftë të dhunuara në luftë, por edhe me bazë gjinore. Ne jemi të lumtur që kemi bashkëpunim me ju dhe me të gjitha institucionet tjera si komunale edhe qëndrore, dhe do të mundohemi të lobojmë edhe në këtë aspekt”, është shprehur ajo.
Ndërsa nga të gjthë pjesëmarrsit tjerë u diskutuan sfidat se si t’i bëjnë të flasin dhe t’i identifikojnë këto viktima, e poashtu edhe si t’iu ofrohet ndihmë. /2LONLINE/