Kolegjiumi për Administratë në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës organizoi takimin e parë për këtë vit me qëllim të rishikimit të planit të punës si dhe identifikimin e sfidave aktuale me të cilat ballafaqohen Komunat.
Me këtë rast Kolegjiumi për Administratë konsideron se shërbimet komunale për qytetarë dhe proceset e punës së administratës komunale mbesin gjithnjë një sfidë në përmirësimin e punës së autoriteteve të Komunës në ofrimin e shërbimeve elektronike në mënyrë të shpejtë dhe efikase.
Njëra ndër pikat e dobëta të treguara në punën e përditshme, e cila duhet të shqyrtohet seriozisht në të ardhmen mbetet mungesa e mbështetjes dhe partneritetit nga institucionet qendrore me qëllim përmirësimin e shërbimeve dhe modernizimin e shërbimeve të administratës, meqë një pjesë e konsiderueshme e tyre ofrohen nga komunat.
Kolegjiumi vë në dyshim rekomandimin e Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), për mbylljen e zyrave të gjendjes civile për pajisje me dokumente të gjendjes civile, që për shkaqe sigurie të fillohet me lëshimin e dokumenteve në një qendër të vetme në Komunë.
Kundërshtimi u argumentua se një gjë e tillë do të shkaktonte ngarkesë e tollovi të madhe për zyrtarët dhe Komunën në ofrimin e dokumenteve, duke marrë parasysh kërkesën e madhe të qytetarëve.
Duke mos harruar problematikat tjera në menaxhimin e kontratave apo furnizimet e dobëta përmes prokurimit publik, Drejtoritë Komunale të Administratës po ballafaqohen në vazhdimësi me probleme të furnizimit, në kuadër të veprimtarisë ditore në ofrimin e shërbimeve administrative në Komuna.
Duke marrë parasysh se shumica e Komunave po përballen me shqetësimin e njëjtë, Komunat kërkojnë mundësi të reja në shkëputjen e kontratave ekzistuese, dhe furnizimin me material sipas kushteve të reja sepse shërbimet komunale nuk mund të pezullohen për qytetarët.
Drejtorët Komunalë shprehën angazhimin në gjetjen e alternativave të reja në tejkalimin e kësaj situate, duke marrë parasysh qasjen e gabuar të Agjencisë Qendrore te Prokurimit (AQP) dhe Organit Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), përgjegjëse të drejtpërdrejta në kryerjen e aktiviteteve të prokurimit me kërkesën e autoriteteve.
Me këtë rast Kolegjiumi për Administratë Lokale ka kërkuar më shumë mbështetje nga niveli qendror që të ketë një zgjidhje të kësaj problematike, e cila po ndikon drejtpërdrejt në punën e përditshme në ofrimin e shërbimeve komunale.
Kolegjiumi po ashtu shtroi temën e zgjedhjeve të reja të Këshillave Lokale, në procesin e zhvillimit të politikave lokale, dhe përfshirjen e tyre në diskutimet rreth temave që prekin interesin e tyre, zgjidhjen e problemeve të komunitetit, dhe ofrimin më të mirë të shërbimeve për qytetarët.
Njëkohësisht duke mos harruar avancimin e mëtutjeshëm në fushën e e-qeverisjes, e ku një rol të madh në këtë fushë do të duhej të ishte shtrirja dhe zgjerimi i ofrimit të shërbimeve përmes e-kioskut, e të cilat do të ishin shumë të dobishme në ngritjen e efikasitetit të punës, dhe cilësisë së shërbimeve për qytetarët. /2LONLINE/