Diskutohen mundësitë për zgjatje të orarit të lëvizjes

Diskutohen mundësitë për zgjatje të orarit të lëvizjes

Përfaqësuesit e komiteteve të Kujdesit Shëndetësor dhe atij për Gastronomi dhe Turizëm brenda Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, u takuan sot me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, si dhe Zëvendësministrin e Shëndetësisë, Luan Gola, për të diskutuar çështje që ndërlidhen me masat e Qeverisë së Repulbikës së Kosovës për mbrojtje nga pandemia COVID-19, si dhe për mundësitë për bashkërendimin për zbatim të tyre në dobi të qytetarëve dhe bizneseve.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, theksoi se Oda Amerikane ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që orari i kufizimit të lëvizjes të zgjatet, gjithnjë duke i respektuar masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për mbrojtjen e shëndetit publik.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, u shpreh se marrë parasysh fragjilitetin e ekonomisë së vendit, ministria që ai drejton është kundër mbylljes totale. Ai theksoi se tash e disa herë brenda komitetit për vlerësim të situatës me COVID-19 ka avokuar për marrjen e masave strikte, por jo edhe për mbylljen e ekonomisë në tërësi. Krasniqi gjithashtu tha se marrë parasysh fluksin e madh të mërgimtarëve, të cilët kanë rol kyç në buxhetin e vendit përmes remitencave, do t’i trajtojnë kërkesat e bizneseve për zgjatje të orarit, gjë që bëhet e mundur përmes vendosjes së rendit përmes inspektoriatit dhe policisë, si dhe përmes zbatimit të masave strikte për mbrojtjen e shëndetit publik nga ana e bizneseve.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Luan Gola, theksoi se Ministria e Shëndetësisë bashkë me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, çdo masë e ka propozuar duke i marrë parasysh kapacitetet e limituara spitalore për t’u përballur me numër më të madh të të infektuarve. Më tutje, ai theksoi se kuadri mjekësor është lodhur për shkak të punës shumë të madhe që është bërë gjatë këtyre 9 muajve, ndërsa shprehu shqetësimin e tij mbi situatën shumë serioze. Derisa përmendi se vendi duhet të përgatitet edhe për periudhën pas pandemisë, Gola tha se ekziston një numër i madh i pacientëve të diagnostifikuar me sëmundje të tjera, të cilët tashmë po i evitojnë trajtimet dhe kontrollat për shkak të mundësisë për infektim. Sipas Golas, ekziston një varg i tërë masash të cilat duhet të trajtohen me shumë kujdes në mënyrë që të mbahet situata nën kontroll.

Erëmal Bajrami, kryesues i Komitetit të Odës Amerikane për Gastronomi dhe Turizëm, theksoi se një ndër kërkesat kryesore të këtij komiteti ka qenë të lejohet shërbimi i shpërndarjes edhe gjatë orëve kur lëvizja është e kufizuar, meqë një shërbim i tillë nuk paraqet rrezik për shëndetin publik, si dhe i njëjti po implementohet edhe në shtetet e tjera. Ai tha se diçka e tillë duhet të implementohet sa më parë, sepse çdo vonesë rezulton në humbje për ekonominë.

Vullnet Kusari, përfaqësues i Komitetit të Odës Amerikane për Kujdes Shëndetësor, tha se në rast të aplikimit të kufizimeve më të gjera të aktivitetit fizik, duhet të konsiderohet rritja e udhëtimeve jashtë vendit, të cilat edhe ndikojnë në shtimin e rasteve të të infektuarve, por edhe në humbjen e potencialit ekonomik.

KOMENTE