DYLON

Diskursi histerik i RTS-së

Avatar photo Redaksia

Zejnullah JAKUPI

(2L ONLINE) – Nuk ndërron Serbia pa ndryshuar RTS-ja. Ky Radiotelevizion në diskursin e tij, çdo mbrëmje në lajmet televizive e demanton atë që e tha Edi Rama në Beograd. RTS akoma nuk e njeh Kosovën si shtet, po si “Kosovo i Metohija” dhe “Kosmet”. RTS-ja si medium publik duhet të fillojë ta tejkaloj fjalorin e politikanëve serb dhe elitës politike nacionaliste.

EkoHigjiena

RTS (Radio Televizioni Publik serb) dështoj disa herë të jetë publik, mbase edhe tash kur Kosova është shtet i pavarur, kur ka ndërruar realiteti faktik në terren. RTS dështoj edhe gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar në Beograd Edi Rama. Me këtë rast tregoi se nuk është medium publik, por vetëm dorë e zgjatur e pushtetit dhe e diskursit nacionalist.

Kjo u pa gjatë emetimit të fjalimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama, e censuroi për disa minuta duke mos e përkthyer fjalimin e Ramës, bëri censurë në pikë të ditës e pa pikë turpi. Kjo tregoi se RTS nuk është çliruar nga falangat e nacionalizmit dhe shovinizmit serb. Ky medium helmon opinionin publik dhe pengon që Serbia të ec rrugës drejt BE dhe integrimit të saj në gjirin e shteteve të përparuara. Në këtë klimë të kontaminuar nga propaganda.

S´kishte si të ndodhte ndryshe vizita e Kryeministrit shqiptar Edi Ramës në Serbi, në një Serbi që akoma nuk lirohet nga e kaluara e saj e hidhët. Një Serbi që nuk e kupton se më mirë është dialogimi se barikadimi dhe heshtja, qoftë edhe kur palët janë me qëndrime diametralisht të kundërta. Një Serbi që nuk mund ta pranoj një të vërtetë publikisht të ditur, edhe pse thënia e kësaj të vërtete në vendin e duhur kishte peshën e duhur!

Miti “Kosovo i Metohija”

RTS nuk e ndërroji diskursin histerik mbi Kosovën dhe shqiptarët, por tutje vazhdon ta ushqejë mitin mbi Kosovën edhe pse është ndarë formalisht nga regjimi i Millosheviqit. Në çdo temë për Kosovën nuk lodhet duke thënë se Kosova (Republika e Kosovës) e cila e ka deklaruar pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008 dhe tash është e njohur nga 96 shtete është pjese e Serbisë.
Opinioni publik serb dhe RTS akoma “përpiqen” ta transmetojnë lajmin se Kosova është e tyre.

Kjo vrehet në diskursin e tyre medial e politik. Ky diskurs mbeti i pandryshuar edhe me 10. 11. 2014, në lajmet qendrore në RTS. Mendojnë se sa me shumë që e shqiptojnë këtë fjali “Kosovo i Metohija” ju duket që po forcohet mbetja e Kosovës nën Serbi. Ndoshta e bëjnë këtë për ta mbajtur ëndrrën e tyre gjallë edhe pse në të vërtet e din se kjo tashmë është e humbur!

Celebrimi i hegjemonizmit

RTS e vërteton tezën se mediet mund të quhen, ndër tjerash edhe si aparat shtetëror dhe kulturor hegjemonist (Gramshi/Althusser). RTS, ky aparat politik nacionalist, është pasqyra diktatoriale e hegjemoniste e cila mbështet propagandën shtetërore të Serbisë ndaj Kosovës. Kur vjen puna e Kosovës dhe e shqiptarëve, bëhet vegël e tyre.

Ky radiotelevizion më së paku po i shërben publikut serb, ose më shumë po i shërben interesave partiake të partisë në pushtet. Po i shërben Vuçiqit, Daçiqit, Nikoliqit, Koshtunicës dhe grupeve radikale nga Veriu i Mitrovicës. Ky medium i quajtur publik e që në të vërtet është shtetëror është bashkëfajtor i krizës së shkaktuar institucionale dhe diskursit nacionalist serb.

Hegjemoninë kontrolluese ky medium e celebron duke filluar me leximin e lajmeve për Kosovën, ashtu si i kërkon euforia nacionaliste. Celebrimi i hegjemonizmi pro qeveritar me eufori të madhe militante, përsëritet në çdo lajm e koment. Edhe në lajmet e 10. 11. 2014 RTS ushtroi hegjemonizmin e tij mbi popullin e vet, përhapi gënjeshtra dhe në mënyrë provokuese e naive i “mbrojti” interesat e “serbe” dhe konform kësaj ideologjie, sërish e quajti Republikën e Kosovës “Kosovo i Metohija”.

RTS mbron Vuçiqin dhe jo Edi Ramën

RTS tha; Edi Rama është fajtor pse theu rregullat e protokollit, pra provokoi dhe nënçmoi jo vetëm kryeministrin serb Vuçiq, por gjithë popullin serb! Ky medium nuk e kritikon Serbinë as politikën zyrtare, pse mungoi flamuri shqiptar gjatë ceremonisë së pritjes. Pse me të përmendur Kosovën e pavarur Vuçiqi nuk i zgjatë dorën mysafirit dhe u largua nga konferenca i mllefosur. Në kronikë u tha se nikoqiri veproi “sipas protokollit”. U përforcua mendimi i Vuçiqit se ishte tradhtuar nga homologu i tij mbase ishin “dakorduar” të mos e përmendnin Kosovën. RTS e arsyetoj veprimin e Vuçiqit dhe politikës zyrtare serbe, por jo pikëpamjet e Ramës.

As në ndeshjen e futbollit nuk ishte ndryshe. Mediumi serb në dy rastet mbron me ngulmë mitin nacionalist. Mbase është medium i taksapaguesit duhet ta kuptoj se Kosova nuk është më ajo e para luftës. Trumbetimi për “Kosmetin”, thua se nuk ka ndodhur asgjë është më shumë se një blof. Në këtë gjendje apatie RTS, gjithnjë më pak sjell zëra liberal dhe të moderuar. Kronika televizive e datës 10 nëntor ishte fund e krye Public Relation (PR) qeveritare, ishte shfajësim për mëkatet e bëra.

Në këtë stil histerik, RTS duhet t´i kthehet publikut,e ti jep gjërat pa pëshpëritje politike, t´i dokumentoj opinionet e t´i ofrojë dëshmi publikut dhe ta sqaroj atë mbi çështjen e Kosovës. Në radhë të parë media duhet tu tregojë taksapaguesve se si dhe pse ka ndodhur humbja? Ky reflektim duhet të ndodh para se Serbia të bëhet anëtare e BE-së, sepse RTS-ja nacionaliste dhe Serbia në BE nuk shkojnë bashkë.

Njëra duhet të bjerë. Nëse shkon Serbia duhet të bjerë mediumi që i ka shërbyer shtetit dhe ka funksionuar për të mbajtur në këmbë diktaturën e pushtetit dhe diskursin e tij absurd. Një Serbi evropiane duhet ta ketë një RTS që ju përgjigjet standardeve gazetareske, dhe jo një RTS që u përgjigjet shikuesve me tone nacionaliste, dhe bëhet zëri i militantëve.

Një RTS ndryshe

Taksapaguesi serb ka nevojë për një shërbim që i mbron në radhë të parë interesat e publikut e ma pak të politikës dhe qeveritarëve, pavarësisht të cilës parti janë, dhe qe ju jep hapësirë gjithë qytetarëve të vet pa përjashtime, në mënyrë të barabartë të shprehin mendimin e tyre. Këto zëra në RTS po mungojnë edhe pse dihet se në serbi nuk ka vetëm serb, por ka edhe shumë pakica tjera kombëtare nga më të ndryshmet.

Por kjo kërkesë mbetet vetëm një iluzion sepse RTS është në shërbim të hypnotizimit të publikut. RTS-ja po mban vazhdimisht në ankth publikun e vet me lajme të politikës, me diskursin medial, tenton të rrënojë faktet dhe real-politikën ekzistuese. Mundohet të shkatërrojë mendimet ndryshe, mediumet e lira që janë pasuri për zhvillimin e demokracisë.

RTS- ja duhet të jetë faktori që promovon dialogun mes shqiptarëve dhe serbëve, mes Serbisë dhe Kosovës, mes Serbisë dhe Shqipërisë, si dy shtete të pavarura dhe me marrëdhënie të mira bilaterale.

RTS- ja me raportimet kritike do të ndihmonte të mos helmohej opinioni serb, do të parandalonte abuzimin me informacione, do të ndihmonte opinionin dhe drejtësinë në thënien e të vërtetës për Kosovën, do të ndihmonte dialogun dhe pajtimin mes dy popujve, do të raportonte në mënyrë kritike kundër krimit të organizuar dhe parandalimin apo zbardhjen e vrasjeve gjatë luftës, kidnapimet dhe zbulimin e varreve masive.

Po sikur të ishte RTS- ja neutrale(bashkë me mediet kryesore në vend të pavarura e kritike), sigurisht do të kishte një Serbi më liberale, do të kishte një kanalizim tjetër të zhvillimit politik dhe ekonomik në vend. Serbia, populli dhe elitat politike do të ishin më ndryshe! Nuk do të ndodhte as eksesi e dhuna në stadium e as censura e fjalimit të kryeministrit Edi Rama në Beograd./2L ONLINE/