Sabit RRUSTEMI
/2L ONLINE/ – Pasditën e djeshme, MKRS-ja, pas një pritjeje bukur të gjatë, bëri publike vendimet e saj lidhur me përkrahjen e librit dhe të revistave si dhe vendimin për blerjen e librit.
Realisht, i nxitur dhe nga premtimet publike të zyrtarëve të lartë të kësaj se do t’i ndryshojnë politikat e tyre në raport me librin dhe vlerat artistike, ku, librin do ta ndihmojnë më shumë përmes blerjes si dhe do ta shtojnë buxhetin për përkrahjen e librit e të revistave duke i pasur parasysh në rend të pare vlerat, konkurova si edhe viteve tjera, përmes Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”dhe shpresova se më në fund, meqë kemi dhe një minister që vie pikërisht nga fusha e librit, gjërat do ecin në drejtimin e duhur.
Zvarritja e pakuptimtë e përzgjedhjes së librave për përprahje po edhe blerje, si dhe e revistave ngjalli pak dyshime se do ndryshojnë fjalët. Ishte një justifikim se vonesat ndodhën shkaku derisa u zgjodh Këshilli i ri i librit. Por, përbërja e tij, realisht nuk la dhe shumë për të shpresuar…
Më në fund, pas gjashtë muajsh nga mbyllja e afatit për të konkuruar, u zbardhën rezultatet e përzgjedhjes së tyre, të cilat i vulosi me Vendime të veçanata, edhe vetë ministri.
Thjeshtë, u habita dhe nuk ju besova syve kur tek Vendimi për përkrahjene e librit, nuk e pashë asnjë dorëshkrim të Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu” të cilën dhe e drejtoj qe katër vite e, ku me një angazhim të madh dhe përplot sfida, arritëm t’i botojmë mbi 80 tituj librash të rinj, anise pak, fare pak kishim përkrahje institucionale, meqë për çdo vit, premtohej dhe na nxiste për të konkuruar.
Prej katër dorëshkrimeve me të cilat kishim konkuruar, asnjëra syresh NUK ishte përkrahur financiarisht. A, ishin dy dorëshkrime nga fusha e studimeve dhe kritikës letrare ( njëri i prof dr. Zejnepe Alili – Rexhepit dhe tjetri I Nexhat Rexhës, aktualisht dy emra që viteve të fundit janë më të angazhuarit në këtë fushë), një roman i një autoreje të re që po bën emër në letërsi ( Drita Fejza) si dhe poezitë e përkthyera në shqip të Çarls Bukovskit nga ana e Aqif Hysës dhe Enkeleda Ristanit. Botim ky i munguar për lexuesit në Kosovë.
Kërkesat për përkrahjen e dorëshkrimeve tona ishin refuzuar edhe këtë vit, njejtë si një vit më parë , Siç ish refuzuar dhe përkrahja për financim e revistes letrare – kulturore AGMIA, e cila botohet një apo dy here në vit, që nga viti 1994 e këndej dhe ate, për mungesë mjetesh.
Ndërsa te Vendimi për blerjen e librave, prej 17 titujve të ofertuar, ishin përzgjedhur vetëm dy tituj dhe ate, nga 50 ekzemplarë dhe, botimet që kanë qenë me çmime më të lira …
Prej asaj që pashë, shqetëson fakti se vazhdon avazi i mëparshëm në raport me Shtëpinë Botuese “Beqir Musliu” si dhe Ars Clubin “Beqir Musliu”. Ndëshkohemi vrazhdë edhe kësaj here, madje më shumë se herave tjera . Tash, nuk e di, a pse përpiqemi për t’u imponuar përmes vlerave përkundër mospërkrahjes institucionale apo pse nuk vrapojmë e cakrrojmë nëpër dyert e zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie, me të cilët njihemi mire. Apo dhe që nuk kemi tregtuar paraprakisht me anëtarët e Këshillit të Librit ?
Realisht nuk di si ta shpjegoj…
Përderisa në vitin 2014 heshta meqë isha dhe pjesë e një Liste kandiduese për deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe nuk doja t’i jepja kahje tjetër, më së paku politike, kësaj here nuk mund ta bëj një gjë të tillë sepse, u teprua…
Nëse ky ndëshkim a diskriminim ndaj Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”ka të bëj me reagimin tim rreth Çmimeve Vjetore për letërsi për vitin 2014, edhe tash them se ka qenë reagim i drejtë për të cilin është dashur të falenderohem MKRS , meqë asaj më së paku I ka bërë nder një ndarje e tillë çmimesh ku nga qindra vepra të botuara, për mungesë informimi, konkurojnë një numër simbolikë veprash të autorëve tanë, nga të cilat pastaj jepen 6 Çmime Vjetore për librat më të mirë… Merre me mend, vetëm prej 22 a 23 librave e ku mungojnë në vlerësim gati dhe 200 libra të tjerë.
Pra, ishte një reagim parimor, anise nuk e kasha asnjë libër timin , mendoj autorial për konkurim.
Nëse ky ndëshkim vjen si rrjedhojë se, anëtarëve të Këshillit të Librit, të cilët që të gjithë I njoh, nuk ju kam botuar libra, nuk ju kam organizuar promovime librash apo dhe nuk I kam ftuar nëpër Manifestime të ndryshme, nuk I kam propozuar për Çmime të ndryshme letrare, them se, edhe mëtutje do ta bëj një gjë të tillë.
E, le të mbesin në ndërgjegjen e tyre ky ndëshkim a diskriminim kaq i paskrupullt ndaj SHB “BEQIR MUSLIU” si dhe Ars Clubin “BEQIR MUSLIU?
Të mos harroj, se një Këshill paraprak Libri I po kësaj Ministrie, në vitin 2013 refuzoi madje dy dorëshkrime që kishin të bëjnë me Beqir Musliun. Njëri për Beqir Musliun ( Poetika e Beqir Musliut, tashmë nga i ndjeri Yrjet Berisha, perms të cilit edhe e kishte mbrojtur temën e doktoranturës) dhe tjetri, “Reflekse mediatike” shkrime publicistike të Beqir Musliut, përgatitur për botim nga Ibrahim Kadriu
Ne do të vazhdojmë mëtutje, pa “patericat” e MKRS… do gjejmë mënyra për ta botuar dhe afirmuar librin e mirë, e përkrahën a s’e përkrahën ata, e blenë apo s’e blenë ata.
Kësaj veprimtarie i kemi hyrë, jo duke u mbështetur në ata por, në vlera dhe në emrat që i zgjedhim dhe i botojmë, po dhe i afirmojmë përmes punës dhe angazhimit tonë.
Sabit Rrustemi
Editor i Shtëpisë Botuese “BEQIR MUSLIU”