Disa këshilltarë komunal që qajnë me “lot krokodili” kanë vendosë “me ba filma”!

Disa këshilltarë komunal që qajnë me “lot krokodili” kanë vendosë “me ba filma”!

Komuna e Gjilanit këto ditë ka ndërmarrë iniciativën për të nxjerrë Projekt Rregulloren për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës të subjekteve afariste në territorin e Komunës së Gjilanit.

Shkruan: Avdyl Aliu

Në favor të kësaj kemi organizuar Dëgjim Publik me datën 13 Maj të këtij viti, të ftuar kanë qenë zyrtarët, qytetarët, shoqatat, grupet e interesit, bizneset si dhe bartësit e institucioneve të Komunës dhe të Kuvendit.

Po ashtu, Komiteti për Zhvillim Ekonomik ka organizuar takim enkas për këtë çështje. Pastaj, Komiteti për Politikë dhe Financa këtë çështje e ka rekomanduar për seancë të kuvendit.

Të gjitha këto organizime dhe aktivitete janë bërë me qëllim të krijimit të opinionit pozitiv për Projekt Rregulloren në fjalë.

Për hatër të një informimi real, me përgjegjësi ju them se këshilltarët komunal që po vajtojnë me lot krokodili se qenka shtyrë për seancën tjetër ky votim, mu këta nuk kanë marrë pjesë në Dëgjimin Publik në lidhje me këtë Projekt Rregullore dhe nuk e kanë dhënë kontributin e tyre aty ku është dashtë. Tash kanë vendosë “me ba filma”.

Me kërkesë të bizneseve gjilanase (marketet dhe qendrat tregtare) kemi pranuar që të konsultohemi me ta, para se të votohet në Kuvend.

Duam t’i dëgjojmë për brengat që i kanë, sipas tyre do të jenë të detyruar të zvogëlojnë numrin e të punësuarve . Gjithashtu, pasi që Rregullore të tillë nuk kanë komunat fqinje (Novobërda, Parteshi, Kamenica, Vitia etj), bizneset gjilanase mendojnë se do te jenë të diskriminuara në raport me bizneset e komunave tjera.

Iniciativa për të pushuar të dielën ka dalë nga Komuna e Gjilanit e jo nga askush tjetër, të tjerët vetëm se e kanë pëlqyer dhe do ta votojnë.

Krejt në fund, por jo e parëndësishme, biznesi im privat me rreth nja 50 të punësuar nuk e dinë se si është me punuar të dielën apo në ditë feste. Tridhjeteshtatë (37) vite punë dhe afarizëm na kanë mësuar shumë profesionalizëm dhe disiplinë.

/Autori është anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e LDK-së/

KOMENTE