Dilemat janë hequr
Shkruan: Ismajl Kurteshi
/”E vërteta është konkrete” – Aristoteli/
/2L ONLINE/ – Debatet dhe polemikat e panumërta në mjetet e informimit, në mes të pozitës dhe opozitës për“Zajednicën” dhe demarkacionin. Këmbëngulja e Kryeministrit dhe të atyre që i janë bindur atij,se marrëveshja e nënshkruar për “Zajednicën” është në përputhje të plot me Kushtetutën. Komentet e ekspertëve, opinionet e opinionistëve të (pa)varur, sugjerimet/reagimet e ndërmjetësuesve (lehtësuesve) ndërkombëtarë dhe kërcënimet nga Serbia se marrëveshjagjithsesi duhet të zbatohet. Insistimi i opozitës se marrëveshja është antikushtetuese, jotransparente dhe shumë e dëmshme për Kosovën dhe si e tillë duhet të tërhiqet.
Gazi lotsjellës me qëllim të pengimit të kësaj të keqe të madhe për vendin që rrjedh nga këto marrëveshje, si dhe arrestimet e deputetëve, patën krijuar dilema të mëdha te qytetarët nëse marrëveshjet për“Zajednicën” dhe demarkacionin janë apo nuk janë (anti)kushtetuese dhe të dëmshme për vendin . Por, si që pati thënë Aristoteli, e vërteta është konkrete. Kryeministri e ka shkelur Kushtetutën në momentin kur e ka nënshkruar marrëveshjen për “Zajednicën”. Këtë konstatim e bëri publik Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës me 23 dhjetor të vitit 2015. Gjykata Kushtetuese, ndonëse e ndikuar nga politika, konstatoi se marrëveshja për “Zajednicën” është në kundërshtim me të gjithë kapitujt e Kushtetutës dhe sidomos nenet konkrete: 3.7, 12, 21, 44, 57, 59, 60, 61,62, 79, 81, 93, 101, 113, 123, 124 dhe 137 e saj.
Ky konstatim i Gjykatës Kushtetuese i hoqidilemat. Kjo i dha të drejtë insistimit dhe protestës së opozitës e cila u vu në mbrojtje tëKushtetutës dhe interesave të vendit. Përpjekjet e Kryeministrit dhe vartësve të tij për ta relativizuar këtë shkelje të tyre të pafalshme dhe për të vazhduar qeverisjen me vendin, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, nuk po pinë ujë. Tani ne të gjithë po e kuptojmë se arsyetimi i qeveritarëve, se gjoja ata edhe pa reagimin e opozitës dhe të qytetarëve përmes protestave dhe peticionit të nënshkruar nga 205.254 qytetarëve, do ta dërgonin dekretin e Qeverisë (që edhe ashtu është i kundërligjshëm) dhe statutin në Gjykatën Kushtetuese, përmes të cilave do t’i korrigjonin shkeljet që kanë ndodhur në marrëveshje, është një farsë e kulluar.
Shpjegimet se gjoja lëshimet e bëra në marrëveshje do të korrigjohen gjatë hartimit të statutit janë fyerje e inteligjencës së qytetarëve të Kosovës, sepse të gjithë e kuptojmë se me miell misri nuk gatuhet buka e gryt (gruri).Këto ditë është hequr edhe dilema se ndoshta Kryeministri pasi ta kuptojë se ka bërë një seri shkeljesh shumë të rënda dhe kur ajo të bëhet publike do ta mbledhë forcën, do ta pranojë gabimin dhe do të jap dorëheqje. Por ky Kryeministër që ka dëshmuar që në vitet ‘80-ta dhe ‘90-ta se pushteti për atë është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër mbi këtë tokë, nuk do të shkojë nga posti kurrë siç është rendi për të shkuar.
Pasi që edhe kjo dilemë është hequr, atëherë qytetarët, që pa asnjë dilemë, janë lodhur me këtë jetë të varfër e të vështirë, të pa perspektivë, me korrupsion e krim të organizuar, me privatizim që ka lënë qindra-mijëra punëtorë në rrugë, me më pakë sovranitet dhe integritet për vendin saherë që pushtetarët po kthehen nga Brukseli, me shtet jofunksional dhe shumë të këqija të tjera, që vinë si produkt i pushtetarëve të korruptuar e të papërgjegjshëm.
Këta pushtetarë që popullit i premtojnë mirëqenie, por vetes së tyre i sigurojnë luks. Këta pushtetarë që gjatë tërë kohës sa kanë biseduar me Serbinë, asaj ia kanë plotësuar të gjitha kërkesat e kurrë nuk i kanë përmendur kthimin e shqiptarëve të dëbuar nga veriu i Mitrovicës dhe të shqiptarëve të dëbuar nga Lugina e Preshevës. Këta pushtetarë që kurrë nuk kërkojnë llogari për dëmet e mëdha që Serbia ia ka bërë Kosovës dhe shqiptarëve në të kaluarën, por edhe po e ulin kokën dhe kurrë nuk po reagojnë as për dëmet dhe pengesat që po ia bën Serbia Kosovës aktualisht. Këta pushtetarë do të largohen vetëm nga presioni qytetar i manifestuar përmes protestave të pandërprera, masive dhe të qeta deri në rrëzimin e saj.
Të gjithë ata që e kanë shkelur Kushtetutën para Isës e Hashimit kanë shkuar. Përjashtim nga ky rregull nuk do të ketë për askënd. Për të mirën e vendit duhet të angazhohemi të gjithë sepse këta qeveritarë të papërgjegjshëm e të korruptuar nuk largohen për shkak të ankesave tona por do të largohen nga presioni ynë i përbashkët. Prandaj do të bëhemi bashkë sa herë të ketë nevojë, për të mirën tonë të përbashkët. /2L ONLINE/
