/2L ONLINE/ – Prej se e mori qeverisjen në Gjilan, kreu i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri jo rrallë herë potencoi se borxhet e mëdha të trashëguara nga qeverisja e kaluar janë pengesa më e madhe në zhvillimin e Gjilanit, andaj edhe për këtë ka qenë e obligueshme vendosja e masave të rrepta të dietës buxhetore.
“Jemi administratë me dietë të ashpër buxhetore sa i përket shpenzimit të parasë publike” ka thënë Haziri me një rast, por se kjo dietë si duket po u bije në kokë shumë punonjësve të komunës pasi ka plotë raste kur për të kryer një punë të komunës, ata bëjnë harxhime nga xhepi i tyre, siç është rasti shembull me harxhime të telefonit.
Ka ankesa të shumta, për këto harxhime që duhet bërë e që për shkak të dietës, nuk mbulohen nga komuna, por që hezitohet të thuhet publikisht nga ana e atyre që e harxhojnë paranë e tyre. Megjithatë kjo heshtje u thye nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, me dashje apo pa të, pasi Sokol Haziri, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, duke i numëruar sukseset e kësaj drejtorie ku përmendi faktin se ka pas zero shpenzime për dreka e darka, e për reprezentacione, përmendi po ashtu edhe përkushtimin e stafit të kësaj drejtorie duke treguar madje se ata kanë bërë edhe harxhime të tyre, gjatë punës së tyre të përditshme.
Por kur është pyetur nga Portali 2L ONLINE, se a është kjo shkelje e të drejtave të tyre, Haziri pranoi se kjo nuk është në rregull, por tha se nuk ka detyrime këtu, duke lënë të kuptohet se kjo bëhet vullnetshëm nga ana e tyre, por premtoi se do të punohet për t’u gjetur një zgjidhje që kjo mos të t’i ndodh më stafit të tij.
Përndryshe, kreu i komunës Lutfi Haziri ka paralajmëruar se dieta buxhetore do të vazhdoj edhe këtë vit. /2L ONLINE/